Select Page

– “Allahu e përmbushi premtimin e Vet ndaj jush, kur ju, me vullnetin e Tij, po i shfarosnit ata (në fillim të betejës). …” – Kuptimi: Ai ju ndihmoi që në fillim, duke ju dhënë epërsi të dukshme kundër tyre. Ju filluat t’i korrnit ata me shpatat tuaja. Por kjo ndihmë u ndërpre atëherë kur ju vetë e kërkuat dhe e shkaktuat atë me veprat tuaja.

– “Por kur ju u dobësuat …” – Pra, ishit ju vetë që e shkaktuat humbjen tuaj dhe që e ndihmuat armikun kundër vetes suaj. Me dobësinë tuaj në zbatimin e urdhrit të Profetit dhe në largimin nga harami, ju ulët qëndrueshmërinë tuaj përpara armikut.

– “… dhe u përçatë me njëri-tjetrin për çështjen e urdhrit (të Profetit)” – Ata u grindën dhe u përçanë me njëri-tjetrin për një çështje tepër të rëndësishme, në vend që të ishin të bashkuar. Kështu, disa prej tyre thanë: “Duhet të qëndrojmë në pozicionin ku na vendosi Profeti (a.s.) dhe të mos lëvizim prej tij, sikurse u urdhëruam!” Të tjerët thanë: “Nuk kemi pse të rrimë më këtu, sepse armiku ynë tashmë u mund.” Por ky qëndrim i dytë ishte thyerje e një urdhri të rëndësishëm – ashtu siç e konsideron Allahu i Lartësuar – të dhënë nga Profeti (a.s.). Më tej, Allahu i Lartësuar thotë: 

– “…dhe e thyet atë urdhër pasi e patë atë që e dëshironit (plaçkën e luftës). – Kuptimi: Ju e thyet urdhrin, pasi patë atë që e dëshironit (fitoren), ndërkohë që përgjegjësia juaj pas mirësisë së dhuruar nga Allahu i Lartësuar duhej të ishte më e madhe, sepse mirënjohësi duhet të jetë më i bindur se çdokush tjetër. Mesazhi është shumë i qartë. Për të arritur fitoren dhe për ta ruajtur atë, detyra është gjithmonë e njëjta: Zbatimi i urdhrave të Allahut të Lartësuar dhe të Profetit të Tij ose, me fjalë të tjera, ruajtja e devotshmërisë.

– “Pati prej jush që u pëlqeu kjo jetë, por pati edhe të tjerë prej jush që parapëlqyen Jetën Tjetër.” – Kuptimi: Disa prej jush pëlqyen dynjanë dhe të mirat e saj (plaçkën e luftës). Këta ishin ata që thyen urdhrin e Profetit (a.s.), dhe kjo u solli pasojat që dihen. Megjithatë, pati edhe të tjerë prej jush që dëshiruan ahiretin, pra, shpërblimin e Allahut të Lartësuar të rezervuar për ata që i binden Atij dhe Profetit të Tij, ose për ata që e ruajtën të pacenuar devotshmërinë. Këta ishin ata që iu përmbajtën deri në fund urdhrit të Profetit (a.s.), duke qëndruar të patundur nga pozicionet e tyre, derisa u vranë.

“Pastaj, Ai bëri që ju të zbrapseni nga armiku, për t’ju sprovuar.” – Pra, pasi ju vepruat në atë mënyrë, Allahu i Lartësuar  e shndërroi epërsinë tuaj në disfatë. Armiqtë filluan të fitonin dhimbshëm kundër jush. Allahu i Lartësuar e bëri këtë si sprovë për ju, që të dallohet qartë besimtari nga qafiri, i binduri nga i pabinduri. Allahu i Lartësuar e bëri, gjithashtu, që t’ju falë gjynahet dhe t’ju mbulojë të metat e gabimet që ju vepruat. Prandaj thotë i Lartësuari më tej:

  “Ai, pa dyshim, jua fali juve (atë gabim). Allahu ka mirësi të mëdha për besimtarët.” – Mirësia e Allahut ndaj tyre ishte shumë e madhe. Së pari, Ai i udhëzoi ata në Islam. Ai i udhëzoi ata të kuptonin dhe të jetonin sipas dispozitave të Tij. Allahu ua mbuloi të metat dhe ua fali gabimet. Ai i shpërbleu ata për veprat e mira, madje edhe për sprovën që i goditi.

Nga mirësitë e mëdha të Allahut të Lartësuar për besimtarët është edhe fakti që të gjitha përcaktimet e Tij për ta janë mirësi dhe në dobi të tyre. Çdo mirësi apo sprovë që i godet besimtarët është në të mirë dhe në dobi të tyre. Nëse u vijnë të mirat, ata, me mirësinë dhe suksesin e dhënë prej Zotit të tyre, tregohen mirënjohës ndaj Tij, dhe kështu fitojnë shpërblimin e madh që Allahu i Lartësuar ka rezervuar për mirënjohësit dhe falënderuesit. E nëse i godet ndonjë sprovë apo fatkeqësi, ata, me suksesin e dhënë prej Zotit të tyre, tregohen durimtarë, dhe në këtë mënyrë fitojnë shpërblimin që Zoti i tyre ka rezervuar për durimtarët.