Select Page

“Është Ai që krijoi vdekjen dhe jetën …” – Vdekja dhe jeta janë krijim i Allahut. Ai përcaktoi që krijesat të jetojnë dhe të vdesin. Qëllimi i kësaj tregohet në vijim:

  “… për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë.” – Domethënë, për të na sprovuar me qëllim që të dalë qartë në pah se cili është vërtet aĥsenu amelâ, pra, cili kryen vepra që Zoti i ka cilësuar si aĥsenu – “më të mirat”. Që një vepër të jetë “aĥsenu”, ajo duhet të plotësojë dy kushte:

1. të kryhet me sinqeritet vetëm për të arritur kënaqësinë e Allahut të Lartësuar;

2. të jetë e saktë dhe sipas mësimeve e udhëzimeve të Allahut dhe Profetit, sepse çdo adhurim që duhet të kryejmë për të kënaqur Allahun e Lartësuar është sqaruar plotësisht nga Allahu dhe Profeti i Tij. Allahu i Lartësuar i krijoi krijesat dhe i vendosi ato të jetojnë jetën e kësaj dynjaje në këtë tokë. Ai i njoftoi ata, gjithashtu, se do të vijë një ditë që do të largohen prej saj, për t’u kthyer përsëri tek Ai që i krijoi dhe për t’u marrë në llogari.

Për këtë arsye, Ai u caktoi urdhra e ndalesa, që rregullojnë jetën e tyre. Pastaj krijoi brenda tyre dëshira e prirje të shumta, për t’i sprovuar ata në zbatimin e ligjeve. Atyre që i nënshtrohen urdhrave të Tij dhe i rregullojnë veprat në bazë të këtyre urdhrave, Allahu i Lartësuar ka për t’ua përmirësuar dhe shtuar shpërblimet e Tij në të dyja jetët. Por ata që ndjekin dëshirat dhe pasionet e pakontrolluara të shpirtit dhe i flakin tej porositë e Zotit të tyre, sigurisht që do të meritojnë shpërblimin më të keq.

– “Ai është Ngadhënjimtari, Falësi i Madh.” – Allahu është El Azîzu – Ngadhënjimtari. Atij i takon pushteti absolut. Me pushtetin e Tij të plotë, Allahu sundon mbi gjithçka. Këtij pushteti i janë nënshtruar të gjitha krijesat. Allahu është El ĝafûr, pra Falës dhe mbulues i Madh i gjynaheve. Ai është Falës për ata që gabojnë, bëjnë gjynahe dhe lënë mangët  detyrimet dhe porositë e Tij. Nëse robërit pendohen dhe kthehen tek Ai duke i kërkuar falje, Ai ua fal gjynahet, edhe nëse këto arrijnë në kupën e qiellit. Ai, gjithashtu, ua mbulon të metat e tyre, edhe nëse janë aq të shumta sa të mbulojnë gjithë dynjanë.