– “Atyre që mohojnë, Allahu u sjell si shembuj gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit.” – Këta shembuj shërbejnë që njerëzit të kuptojnë se lidhjet e ndryshme mes besimtarëve e mohuesve nuk kanë asnjë efekt te përfundimi i secilit prej tyre. Kështu, afërsia me besimtarin nuk ka për t’i sjellë qafirit asnjë dobi. Gjithashtu, lidhja me qafirin nuk ka për ta dëmtuar aspak besimtarin, nëse ky i fundit i ka kryer detyrimet kundrejt tjetrit.
Kjo duket si një këshillë dhe vërejtje për gratë e Profetit (a.s.), që ato të ruheshin nga gabimet dhe mosbindja, duke e kuptuar mirë se lidhja e tyre me Profetin (a.s.) nuk do t’u sillte asnjë dobi, nëse ato nuk besonin dhe nuk i bindeshin Allahut të Lartësuar. Më tej, thotë i Madhëruari:
– “Ato ishin të martuara me dy nga robërit Tanë të mirë, por i tradhtuan ata.” – Ato ishin bashkëshorte të dy profetëve të nderuar, Nuhut (a.s.) dhe Lutit (a.s.). Por ato tradhtuan, duke mos e pranuar besimin dhe fenë e burrave të tyre. Pra, këtu nuk flitet assesi për tradhti bashkëshortore. Nuk ka ndodhur kurrë që një grua profeti të ketë tradhtuar nderin dhe shtratin e tij.
Zoti i Lartësuar nuk do të bënte kurrë që gruaja e një profeti të ishte e përdalë dhe shkelëse e nderit bashkëshortor. Meqenëse ato e tradhtuan fenë e burrave të tyre, statusi i tyre si bashkëshorte profetësh nuk u bëri asnjë dobi. Allahu thotë:
– “Për këtë arsye, bashkëshortët e tyre nuk do të mund t’i mbrojnë ato aspak tek Allahu. Atyre të dyjave do t’u thuhet: “Hyni të dyja në Zjarr, së bashku me të tjerët që hyjnë në të!” – Kështu, profetët Nuh dhe Lut (a.s.) nuk do të mund t’i ndihmojnë ato tek Allahu i Madhëruar. Ndërsa për besimtarët, Allahu i Lartësuar sjell shembull tjetër: