Allahu i Lavdëruar na urdhëron në këtë ajet për pendim të sinqertë e të vërtetë dhe premton për këtë falje, mbulim të të këqijave e futje në Xhenet. Ai premton për sukses në arritjen e çdo të mire e shpëtim nga çdo e keqe. Kjo fitore do të shfaqet plotësisht Ditën e Gjykimit, kur besimtarët të ecin të ndriçuar nga drita e imanit të tyre. Kështu, ata do të jenë me zemër të qetë e të sigurt. Kur të shohin që munafikëve do t’u shuhet drita, ata, me drojë, do t’i luten Zotit e do të thonë: “Zoti ynë, forcoje dritën tonë dhe na i mbulo gjynahet tona!
Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë!”. Dhe Allahu i Madhëruar do t’i përgjigjet lutjes së tyre, duke ua forcuar dritën e imanit të tyre, e cila do t’i ndihmojë të arrijnë të sigurt në Xhenetin e mirësisë. Ky përfundim është fryt i pendimit të sinqertë e të vërtetë, që është bërë për të gjitha gjynahet e në mënyrë të vazhduar.