– “O ju që keni besuar! As pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej kujtimit të Allahut! – Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuresit e Tij besimtarë që të shtojnë dhe shpeshtojnë kujtimin e Tij. Fitorja e çdo të mire, shpëtimi nga çdo e keqe dhe arritja e çdo suksesi në dynja dhe ahiret janë të lidhura ngushtë me kujtimin e shpeshtë të Allahut të Lartësuar.
Allahu i Madhëruar i këshillon ata që të bëjnë kujdes dhe të mos hutohen nga fëmijët e tyre dhe pasuria. Nuk ka dyshim se interesi i njeriut për fëmijët dhe pasurinë e tij është diçka e natyrshme, por shumica e njerëzve u japin përparësi këtyre gjërave kundrejt dashurisë për Allahun e Lartësuar, dhe kjo është një humbje e madhe. Allahu i Lartësuar thotë:
– “Ata që veprojnë kështu janë të humbur.” – Ata që i pengon pasuria dhe fëmijët prej kujtimit të Allahut të Lartësuar dhe plotësimit të detyrimeve ndaj Tij, ata e kanë shpërfillur të mirën dhe janë në humbje të madhe. Ata e kanë privuar veten nga mirësia e pafundme, sepse i japin përparësi kësaj jete të shkurtër, që do të zhduket shumë shpejt, kundrejt asaj që do të mbetet përgjithmonë. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë veçse sprovë, ndërsa tek Allahu është shpërblimi i madh.” [Tegabun 15].