– “Ata thonë: “Kur të kthehemi në Medine, paria do t’i dëbojë prej saj të përçmuarit.” – Kjo ndodhi në betejën e Murejsit,187 gjatë së cilës pati një grindje mes ensarëve dhe muhaxhirëve për një çështje të caktuar. Në këtë situatë u shfaq hipokrizia e munafikëve. I pari i tyre, Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli, duke nënkuptuar muhaxhirët, tha: “Puna jonë me këta është ai që tha: “Jepi bukë qenit tënd, që të të kafshojë!”. Pastaj tha: “Kur të kthehemi në Medinë, krenarët do t’i dëbojnë prej saj të përçmuarit.” Kështu, sipas tij, ai dhe vëllezërit e tij munafikë na ishin krenarët e fisnikët, ndërsa Profeti i Allahut dhe shokët e tij ishin të poshtëruarit, ndërkohë që e vërteta ishte krejtësisht e kundërta, siç thotë i Lartësuari:
– Në fakt, e tërë krenaria u takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë. – Këta janë krenarët e vërtetë, ndërsa munafikët dhe vëllezërit e tyre idhujtarë janë të përçmuarit. Munafikët nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë një fakt të tillë, prandaj dhe pandehin se janë krenarët. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë:
187 Kjo ndodhi në muajin shaban të vitit 5. Shkak i saj u bë një informacion tjetër që i mbërriti Pejgamberit (a.s.), se Harith Ibn Ebu Dirari, prijësi i fisit Benu Mustalik, kishte filluar te fisi i tij dhe tek arabët e tjerë, një fushatë organizimi për të mbledhur një ushtri dhe për të sulmuar Pejgamberin (a.s.) Pejgamberi (a.s.), për të verifikuar këtë lajm, dërgoi Burejde Ibn Kusaj el Selemin. Ky shkoi atje dhe takoi vetë Harith Ibn Ebu Dirarin, prej të cilit verifikoi lajmin e përgatitjeve për luftë. Fill pas lajmit, Pejgamberi (a.s.) organizoi dhe nxiti besimtarët për luftë, të cilët menjëherë iu përgjigjën ftesës. Bashkë me të, dolën për luftë edhe një grup munafikësh, të cilët nuk kishin luftuar kurrë më parë me Pejgamberin (a.s.).
Pejgamberi (a.s.) la si mëkëmbës të tij në Medinë, Zejd Ibn Harithe, por thuhet edhe se ka lënë Ebu Dherrin, apo dhe Numejle Ibn Abdullah el Lejthin. Marshimi filloi natën e së hënës, dy net pasi kishte hyrë muaji shaban. Harith Ibn Ebu Dirari dhe pasuesit e tij, kur u njoftuan rreth sulmit që Pejgamberi (a.s.) kish planifikuar kundër tyre, dhe kur morën vesh se muslimanët e kishin kapur spiunin e dërguar prej tij dhe e kishin vrarë, u tmerruan. Ky informacion frikësoi edhe ato pak fise arabe që i ishin bashkëngjitur ushtrisë së tij deri në ato momente, duke i detyruar të shpërndahen dhe të largohen prej tij.
Pejgamberi (a.s.) mbërriti në Murejs, që ishte vendi i puseve të tyre, dhe e ngriti çadrën e tij pikërisht në atë vend. Së bashku me Pejgamberin (a.s.), në këtë luftë ishin Aisheja (r.a.) dhe Ummu Selemeja (r.a.). Këtu filloi përgatitja për luftë. Vetë Pejgamberi (a.s.) i renditi në rreshta shokët e tij. Flamurin e muhaxhirëve e mbante Ebu Bekër el Sidiku, ndërsa flamurin e ensarëve e mbante Sad Ibn Ubade… Duke u kthyer nga kjo luftë, kreu i munafikëve, Ibn Ubeji, tha: “Kur të kthehemi në Medinë, fisnikët dhe të lartit e Medinës do t’i flakin jashtë të ultit dhe të shpërfillurit (nënkuptonte Pejgamberin (a.s.)).” Zejd Ibn Erkami, që i dëgjoi këto fjalë, shkoi dhe i tha Pejgamberit (a.s.), por menjëherë Ibn Ubeji shkon te Pejgamberi (a.s.) dhe i betohet se nuk e kishte thënë kurrë diçka të tillë.
Pejgamberi (a.s.) heshti. Pas kësaj, Allahu i Lartësuar shpalli suren Munafikun, ku mbështeste dhe vërtetonte fjalën e Zejdit. Pejgamberi (a.s.) e kapi Zejdin për veshi dhe i tha: “Gëzohu Zejd, se Allahu i Lartësuar e vërtetoi fjalën tënde!” Pastaj tha për Zejdin: “Ky e kreu detyrën ndaj Allahut me veshët e vet.” Në këtë çast, Omeri i tha Pejgamberit (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! Urdhëro Abad Ibn Bishrin që t’ia heqë kokën atij (Ibn Ubejit)!” Pejgamberi (a.s.) ia ktheu: “E si do të vejë puna, kur njerëzit të flasin dhe të thonë se Muhamedi po vret shokët e vet?!” [Shih “Zadul Mead”, vëll. 3, fq. 123].