Këto ajete janë ngushëllim për besimtarët, sidomos për ata që marrin si shembull brezat më të hershëm të besimtarëve, për të vepruar ashtu sikurse ata. Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve se të tilla ngjarje kanë ndodhur vazhdimisht, domethënë që të tilla sprova i kanë kaluar besimtarët e të gjitha kohërave. Ky është një ligj i pandryshueshëm i Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:
– “Sa e sa profetë ka pasur, së bashku me të cilët kanë luftuar ushtri të mëdha besimtarësh, …” – Sa e sa profetë, gjatë gjithë kohërave, janë ndihmuar nga grupe të mëdha besimtarësh, nga ata besimtarë, të cilët u edukuan nga profetët e tyre për besim të sinqertë dhe për vepra të mira. Ata duruan shumë plagë dhe dhimbje në emër të besimit. Megjithatë, Allahu thotë:
“… të cilët edhe pse janë sprovuar në rrugën e Allahut, as nuk janë dobësuar dhe as nuk janë përulur.” – Pra, zemrat dhe trupat e tyre nuk u dobësuan kurrë. Ato nuk u poshtëruan asnjëherë para armikut të tyre. Përkundrazi, ata bënë durim, qëndruan me trimëri dhe i jepnin zemër e mbështetnin njëri-tjetrin. Më tej, i Madhëruari thotë:
– “Allahu i do durimtarët.” – Pastaj Allahu i Lartësuar përmend se si ata i kërkonin me përgjërim Zotit të tyre ndihmën dhe fitoren në luftën e tyre. Thotë i Lartësuar: