– “Kur i sheh ata, të mahnisin, e kur flasin, u dëgjohet fjala.” – Po t’i shohësh, ata të mahnisin me pamjen e tyre; edhe kur flasin, atyre u dëgjohet fjala. Kështu, ata gjithmonë rregullojnë pamjen dhe fjalët e tyre, që të tjerët të çuditen me ta dhe të mos shohin se çfarë fshihet pas tyre. E vërteta është se pas fizionomisë dhe fjalëve të tyre nuk ka asgjë prej moralit të mirë dhe as prej udhëzimit të drejtë, për të cilin urdhëron feja e Zotit. Ata janë ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar:
– “Po ata janë si trungje bosh e të mbështetur.” – Ata janë të padobishëm, madje sjellin veçse dëm. Allahu i Lartësuar vazhdon të tregojë të tjera cilësi të ulëta të tyre:
– “Çdo thirrje e mendojnë sikur është kundër tyre.” – Kjo ndodh për shkak të dobësisë së zemrës së tyre, sepse ata janë frikacakë. Zemra e tyre është e mbushur me dyshime dhe ata janë gjithmonë të frikësuar se mos u zbulohet ajo që e fshehin.
– “Ata janë armiq, prandaj ruaju prej tyre!” – Në fakt, këta janë armiq më të rrezikshëm sesa armiqtë e deklaruar. Munafikët shfaqen si miq dhe të dashur, por në të vërtetë janë armiq të përbetuar, që thurin kurthe dhe intriga. Për këtë arsye, duhet kujdes i madh për t’u ruajtur prej tyre. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë:
– “Allahu i vraftë, si shmangen nga e vërteta!” – Si e braktisin ata fenë Islame, pasi iu bënë të qarta argumentet dhe mësimet e mrekullueshme të saj, për të përqafuar kufrin, i cili nuk u sjell asnjë dobi, por veçse dëshpërim dhe shkatërrim?!