Select Page

– “A ndihen të sigurt ata nga ndëshkimi i Allahut?” – Askush nuk mund të jetë i sigurt nga ndëshkimi i Allahut, i Cili u lë afat zullumqarëve dhe gradualisht i fut thellë ata në shtegun e ndëshkimit, pa u kuptuar fare nga ata. Ai vërtet i afatizon, por ndëshkimi i Tij është i pakthyeshëm dhe i ashpër. Njeriu i mençur nuk ndihet asnjëherë i siguruar prej ndëshkimit të Zotit të Madhërishëm. Për ata që ndihen rehat dhe mospërfillës ndaj këtij ndëshkimi, Allahu thotë:

– “Askush nuk ndihet i sigurt nga ndëshkimi i Allahut, veç njerëzve të humbur.” – Ata të cilët pretendojnë se janë të sigurt nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar, ata në të vërtetë nuk besojnë në gjykimin e drejtë të Tij. Në këtë mënyrë, ata dëshmojnë se nuk i besojnë profetët dhe shpalljet e Zotit. Ky ajet është një kërcënim i ashpër për njeriun, që të mos ndihet kurrë i shkujdesur dhe i sigurt në vetvete, me pretendimin se ka iman në zemrën e tij.

Përkundrazi, robi duhet të jetë vazhdimisht i kujdesshëm, se ndoshta ndonjë fatkeqësi e sprovë nga Zoti mund të bëhet shkak që prej tij të largohet edhe ai iman që ka. Njeriu duhet të lutet gjithmonë: “Ja mukal-libel kulub! Theb-bit kalbi ala dinik!” – “O Ti që i ndryshon zemrat! Forcoje zemrën time në fenë Tënde!” Përveç kësaj, ai duhet të përpiqet me çdo mënyrë të treguar nga Zoti për të shpëtuar nga e keqja, sidomos në kohën e sprovave. Mos harroni një fakt: sado i plotësuar të ndihet në veten e vet njeriu, kurrë nuk duhet të ndihet i sigurt për shpëtimin.