Select Page

– “Ka beduinë, të cilët shpenzimin në rrugën e Allahut e konsiderojnë si gjobë dhe presin fatkeqësira për ju. Atyre u rëntë fatkeqësia! Allahu dëgjon e  di gjithçka.” – Zekatin dhe çdo lloj shpenzimi për hir të Zotit e konsiderojnë si garamet, si gjobë ose taksë rënduese, nga e cila vetëm humb dhe nuk fiton asgjë, as kënaqësinë e Zotit. Prandaj, edhe kur u kërkohet që të japin, mezi japin dhe i mallkojnë besimtarët. Ata i urrejnë besimtarët dhe urojnë që çdo fatkeqësi t’u bjerë atyre.

Por ajo që do të ndodhë në realitet është e kundërta. Fati i zi u vërtitet pikërisht atyre njerëzve pa tru. Besimtarët i ndjek çdo e mirë, me lejen e Zotit të Madhëruar. Ata do t’i lartësojë Zoti mbi çdo armik të tyre dhe përfundimin do ta kenë të mirë. Allahu i Lartësuar dëgjon e  di gjithçka, prandaj Atij kurrë nuk mund t’i fshihen qëllimet e robërve . Allahu sheh, dëgjon dhe di hollësitë dhe qëllimin e çdo pune që bëjnë njerëzit. Ai e di mirë se cilët janë të sinqertë dhe cilët hipokritë, e në fund do t’i japë secilit atë që meriton.