– “Kur melekët u marrin shpirtin atyre që e kanë ngarkuar veten me padrejtësi, u thonë: “Në ç’gjendje ishit?”” – Ky kërcënim i ashpër u drejtohet atyre që nuk emigrojnë për hir të fesë së vet, edhe pse i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë. Kur melekët t’u marrin shpirtin, do t’i qortojnë rëndë dhe do t’u thonë: “Ku ishit? Çfarë ndryshimi kishte mes jush dhe jobesimtarëve?
Asnjë ndryshim! Ju u përziet me ta dhe thjesht shtuat numrin e tyre, madje ndoshta edhe bashkëpunuat me ata kundër besimtarëve. Por kështu ju e privuat veten nga mirësitë e shumta që sjell hixhreti në ndihmë të Profetit (a.s.) dhe fesë së tij dhe mbështetja e besimtarëve kundër armiqve të tyre. Ata të mjerë do të përgjigjen:
– “Ata thonë: “Ne ishim të dobët në tokë!”” – Do të ankohen dhe justifikohen se ishin të dobët, të shtypur, të pafuqishëm në tokë. Ky do të jetë pretendimi i tyre, i cili është pa vend dhe jo i drejtë. Këtë e tregon fakti që Allahu i Lartësuar i ka kërcënuar me ndëshkim, si dhe fakti që Ai nuk ngarkon asnjë njeri tej mundësive të veta. Allahu i Lartësuar i ka përjashtuar nga ky kërcënim të dobëtit, domethënë ata që vërtetë janë të pafuqishëm. Melekët u thonë atyre:
– “Melekët do t’u thonë: “A nuk ishte e gjerë toka e Allahut, që të mërgonit në të?!”. – Kjo është një pyetje retorike, sepse çdokush e di që toka e Allahut është e gjerë dhe çdokush që ndodhet në një vend ku nuk mund ta shfaqë dhe ushtrojë besimin e tij, e ka mundësinë që të largohet në një vend tjetër, ku mundet që ta adhurojë Zotin e tij, i Cili thotë në një ajet tjetër: “O robërit e Mi që keni besuar! Toka Ime është e gjerë, prandaj vetëm Mua më adhuroni!” [Ankebut, 56]. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë për këta njerëz, të cilët nuk kanë justifikim për moslargimin nga vendi ku ndalohet besimi:
– “Këta do ta kenë vendbanimin në Xhehenem. Sa i keq është ai vendbanim!” – Edhe ky kërcënim shihet ashtu sikurse të gjitha tekstet e tjera kërcënuese. Pra, kjo lloj vepre është e dënueshme, por kërcënimi mund të realizohet ose jo, në varësi të plotësimit të kushteve dhe largimit të pengesave. Me fjalë të tjera, nëse kushtet nuk plotësohen dhe pengesat nuk largohen, atëherë ai nuk realizohet. Ky ajet dëshmon se hixhreti është një nga detyrimet më të mëdha që duhet zbatuar, ndërsa braktisja e tij konsiderohet haram, madje gjynah i madh.
Ajeti tregon gjithashtu se çdokush që vdes e ka plotësuar gjithçka të përcaktuar për të, për sa i përket afatit të jetës, veprave të kryera etj. Kjo kuptohet nga shprehja në ajet “teueffa”. Nëse mbi të nuk do të plotësohej tërësisht kaderi i Zotit, ai nuk do të largohej nga kjo jetë. Në këtë ajet shfaqet rëndësia e besimit rreth melekëve. Allahu i Lartësuar i lëvdon ata, duke treguar se ata janë robër të bindur të Tij, që ekzekutojnë përpikmërisht urdhrat e Tij.