Select Page

  Ata për të cilët Zoti ka vendosur përfundimisht se do të jenë të humbur, të devijuar dhe banorë të Zjarrit, ashtu do të jenë. Ata do të përfundojnë ashtu siç e ka caktuar Zoti, me vendimin e Tij të urtë dhe të drejtë. Ata nuk kanë për të besuar më, edhe sikur t’u vijë çdo lloj shenje e mrekullie nga Zoti. Madje këto shenja ua shtojnë më shumë shfrenimin, padrejtësitë dhe humbjen.

Pa dyshim, Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre. Janë ata që, me përzgjedhjen e tyre të lirë, e refuzojnë të vërtetën kur u paraqitet për herë të parë. Me refuzimin e të vërtetës, ata meritojnë që Allahu i Lartësuar t’i ndëshkojë duke ua vulosur zemrat, shikimet dhe dëgjimin e tyre.

Prandaj ata nuk kanë për të besuar, derisa të shohin dënimin e dhimbshëm, për të cilin janë paralajmëruar. Ajo ditë ka për të qenë e tmerrshme për ta. Vetëm atëherë do ta kuptojnë dhe do të binden se ishin në humbje të plotë dhe se ajo që sollën profetët ishte e vërtetë e padiskutueshme. Por atë ditë pendimi dhe besimi nuk vlen më, siç thotë Zoti: “Kështu atë ditë atyre që bënë padrejtësi, asnjë pendesë nuk u bën dobi e as që kërkohet të arsyetohen.” [Rum 57].

Shenjat dhe argumentet e Zotit u bëjnë dobi vetem atyre që kanë zemër të gjallë dhe dëgjojnë me kujdes dhe me qëllimin për të gjetur të vërtetën, siç thotë i Madhëruari në një ajet tjetër kuranor: “Të gjitha këto janë fakte për cilindo që ka zemër, që dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” [Kaf 37].