– “O ju që keni besuar, kur marshoni në rrugën e Allahut, të jeni të matur …” – Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që të jenë shumë të kujdesshëm kur të dalin në xhihad për hir të Tij. Ata duhet të jenë të përmbajtur në çdo çështje që nuk është e sigurt. Çështjet me të cilat ballafaqohen njerëzit janë dy llojesh: të qarta dhe jo të qarta. Çështjet e qarta nuk kanë nevojë për hetim dhe shqyrtim, sepse nuk kanë nevojë të qartësohen.
Ndërsa çështjet jo të qarta kanë nevojë për shqyrtim dhe hetim të kujdesshëm, para se të ndërmarrësh një veprim apo qëndrim të caktuar. Shqyrtimi i tyre i mundëson njeriut të përfitojë shumë të mira dhe të ruhet nga shumë të këqija. Aftësia për të hetuar dhe gjykuar drejt këto çështje varet nga logjika, morali dhe feja e sejcilit. Ndryshe ndodh me ata që nxitohen dhe nuk përmbahen, sepse ata gjithmonë do të gabojnë.
Si pasojë, përfundimi i tyre do të jetë jo i kënaqshëm, madje edhe më keq. Atyre do t’u ndodhë ashtu siç u ndodhi gabimtarëve që përmenden në këtë ajet, të cilët Zoti i qortoi. Ata i morën jetën një grupi njerëzish që i përshëndetën me selam, vetëm sepse mund t’u merrnin pasurinë si plaçkë lufte. Allahu i Lartësuar thotë:
– “… dhe të mos u thoni atyre që ju përshëndesin me selam: “Nuk jeni besimtarë.”, për të arritur me këtë ndonjë fitim në jetën e kësaj bote! Tek Allahu ka begati të mëdha.” – Kuptimi: Të mos ju shtyjë në gjynah pasuria e vogël e kësaj dynjaje, e cila shpejt do të zhduket, sepse kështu do të humbisni shpërblimin dhe mirësitë e përjetshme të premtuara nga Allahu i Lartësuar. Ato që ka premtuar Allahu i Lartësuar janë më të mira dhe të përjetshme.
Ky ajet na jep një mësim të vyer. Nëse njeriu e ndien në vetvete se po anon drejt dëshirave personale, që janë të dëmshme, menjëherë duhet të kujtojë gjithë ato mirësi të cilat Zoti i ka përgatitur për ata që e frenojnë veten nga dëshirat e shfrenuara dhe i japin përparësi kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimit të Tij. Nëse vepron kështu, do të jetë më e lehtë për të që të kthehet e të zbatojë porositë e Zotit dhe të ruajë kufijtë e Tij. Pastaj Allahu i Lartësuar i përkujton ata që u nxituan në veprimin e tyre me gjendjen ku ndodheshin para udhëzimit në Islam:
– “Ashtu ishit edhe ju më parë, derisa Allahu ju dha nga të mirat e Tij. Pra, matuni mirë!” – Pra, ashtu sikurse ju udhëzoi ju pasi ishit në humbje, po kështu Zoti mund të udhëzojë edhe të tjerët. Kështu, ftuesi i njerëzve në besim duhet të kujtojë gjithmonë gjendjen e tij të mëparshme, para se të besonte, dhe t’i trajtojë njerëzit ashtu si do të dëshironte ta trajtonin atë. Ky është një nga çelësat e suksesit në ftesën e njerëzve në Islam.
Prandaj Allahu i Lartësuar na mëson si të sillemi me fillestarët në besim, duke na thënë: “Matuni mirë!”. Shihni me kujdes! Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të jemi të vetëpërmbajtur dhe të kujdesshëm edhe në kohë lufte, kur mundësitë për të gabuar janë më të mëdha, edhe kur dikush mund të përshëndesë me selam thjesht për të ruajtur jetën dhe pasurinë e tij. Kjo tregon se vetëpërmbajtja dhe siguria në qëndrimet që mban është e domosdoshme në çdo kohë dhe situatë, me qëllim që ai të gjykojë e të veprojë me drejtësi.
– “Allahu di gjithçka që ju bëni.” – Cilido do të shpërblehet sipas punës dhe qëllimit të tij. Allahu i Lartësuar di dhe vështron çdo veprim dhe qëllim të robit, dhe gjykimi i Tij është i drejtë e i urtë.