Select Page

Kush bën një vepër të mirë dhe është besimtar, mundi i tij nuk do të mohohet. – Është fjala për çdo njeri që bën vepra të mira, domethënë ato vepra që përcaktuan profetët dhe u qartësuan në shpalljet e Zotit, pasi plotësohet fillimisht kushti i domosdoshëm për pranimin e veprave, që është imani i vërtetë.

Kështu, këta të zgjedhur fillimisht besojnë në Allahun, profetët dhe çdo gjë që ata urdhërojnë të besohet dhe, së dyti, bëjnë punë të mira sipas udhëzimeve të dhëna dhe me sinqeritetin për të kënaqur Allahun e Madhëruar. Ai që plotëson këto dy kushte ka premtimin e Allahut se: “…mundi i tij nuk do të hidhet poshtë”. Përpjekjet e këtij njeriu nuk do të shkojnë kot, madje shpërblimi do t’i shumëfishohet, me bujarinë e Allahut të Madhëruar.

Ne i shënojmë ato (vepra) për të. – Allahu i Madhëruar i ka shkruar të gjitha në Leuhi Mahfudh dhe në librat e veprave të robërve , që i mbajnë melekët e Tij. Ai që nuk ka bërë vepra të mira, – ose që ka bërë shumë të tilla, por nuk është besimtar i rregullt sipas udhëzimeve të Zotit, – ai është i dështuar në fenë dhe në jetën e tij, duke mbetur i privuar nga shpërblimi dhe mirësitë e Zotit.