Kur u shpallën ajetet e ndalimit kategorik të pijeve dehëse, shumë besimtarë deshën të dinin gjendjen e vëllezërve të tyre besimtarë që kishin konsumuar pijet dehëse dhe që kishin vdekur para se ato të ndaloheshin. Atëherë, Allahu i Madhëruar shpalli këto ajete dhe tha: “Nuk ka gjynah për ata që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira, për atë që kanë ngrënë”.
Pra, nuk ka gjynah për ata që kanë konsumuar pijet dehëse dhe kumarin para se të zbriste ndalimi për to. Dikush mund të mendojë se në këtë gjykim hyjnë edhe dy vepra të tjera: adhurimi i putave dhe praktikimi i shortit, por ajeti i përjashton ata. I Lartësuari thotë: “…për ata që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira”. Pra, është fjala për ata që u largohen gjynaheve dhe që kanë besim të drejtë tek Allahu, besim që i nxit ata vazhdimisht për punë të mira.
Ky sqarim i fundit është i nevojshëm, sepse njeriu mund të plotësojë këtë kusht për njëfarë kohe dhe pastaj ta lërë atë. Por jo. Ai duhet të jetë në gjendje të tillë, deri sa t’i vijë vdekja. Pra, qëllimi është që të jetë i vazhdueshëm në punë të mira. Allahu i do punëmirët, që e përkryejnë adhurimin e përkushtuar ndaj Krijuesit të tyre dhe që tregohen gjithashtu bamirës e të dobishëm ndaj krijesave të Tij.
Kjo përfshin edhe ata njerëz të cilët ushqehen me haram dhe kryejnë gjynahe, edhe pasi janë qartësuar rreth tyre, dhe pastaj pendohen tek Allahu i Madhëruar, përpiqen të jenë të devotshëm, besojnë sinqerisht e saktësisht dhe bëjnë punë të mira. Edhe këtyre Allahu i Madhëruar ua fal gjynahet dhe nuk i ndëshkon për to.