Select Page

– “Kur morëm prej jush premtimin dhe ngritëm mbi ju Malin Tur, ju thamë: “Mbahuni fort tek ajo që ju kemi dhënë dhe dëgjoni (urdhëresat)!”. – Kuptimi: Allahu i Lartësuar ju urdhëroi në të tilla kushte, që të bëheshit të dëgjueshëm. Shprehja: “ue smeû” (dëgjoni) është urdhër për të dëgjuar, që, në fakt, nënkupton bindjen dhe nënshtrimin ndaj urdhrave. Por, a dëgjuan ata në këtë mënyrë?

– “Ata thanë: “Ne dëgjuam, por nuk bindemi.” – Kështu, ata u kthyen në natyrën e tyre të përhershme, që nuk dinë tjetër të thonë, por veçse: “Semi’nâ ue aŝajnâ” (Dëgjuam, por nuk bindemi). Atëherë, ky lloj qëndrimi e meriton plotësisht vendimin e të Urtit për ta, i Cili thotë:

– “Si pasojë e mosbesimit, për zemrat e tyre u bë i dashur adhurimi i viçit.”   Domethënë, për shkak të mohimit të tyre të vazhdueshëm, ata e merituan që për zemrat e tyre të bëhej i dashur, madje një dëshirë e parezistueshme, adhurimi  i viçit. Subhanallah! Po a mund të quhet iman ai që të çon në të tilla përfundime? Thotë i Lartësuari:

– “Thuaj: “Nëse jeni besimtarë, atëherë besimi juaj është duke ju udhëzuar për keq.”” – Kuptimi: Ju pretendoni se keni besim, e madje lëvdoheni mes njerëzve për besimin tuaj, duke pretenduar se është e vërteta e sigurt. Por çfarë mund të thoni për vrasjen e profetëve të Allahut me duart tuaja? Po kur adhuruat viçin si zot, pasi Musai (a.s.) ju la vetëm për një moment? Çfarë mund të thoni për refuzimin e urdhrave dhe ndalesave që atij iu shpallën prej Zotit, edhe pas kërcënimit që ju bë me kodrën Tur, e cila u ngrit mbi kokat tuaja? E, megjithatë, ju e pranuat se do të ishit të rregullt, por vetëm me fjalë, sepse e shkelët premtimin me veprat tuaja. Kjo është feja që ju pretendoni?

Nëse ky do të quhej besim, sipas pretendimit tuaj, atëherë, më e pakta që mund të thuhet është: U poshtëroftë dhe u harroftë ai besim që e shtyn njeriun të kalojë kufijtë e Zotit, duke e mohuar dhe kundërshtuar Atë dhe profetët e Tij! U poshtëroftë ai besim që e zhyt njeriun në gjynahe pa fund!  Por dihet shumë mirë se besimi i sinqertë e nxit njeriun për vepra të mira dhe e ndalon nga çdo vepër e keqe. Atëherë, si përfundim, nuk ka dyshim në mashtrimin dhe kotësinë e pretendimeve të tyre.