Select Page

– “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë.” – Kjo është një nxitje që Allahu i Lartësuar u bën adhuruesve të Tij për të shpenzuar në bamirësi. Ai thotë që kurrë nuk keni për ta arritur atë që quhet “el bir-ru”. Kështu quhen të gjitha ato vepra të mira dhe shpërblimet e premtuara për to nga Allahu i Lartësuar. Këto vepra të mira bëhen shkak që vepruesi i tyre të hyjë në Xhenetin e mirësisë së përjetshme. Pra, kurrë nuk mund ta arrini këtë gradë, derisa të shpenzoni prej pasurisë më të shtrenjtë që zotëroni, të cilën e doni shumë fort.

Nuk do ta arrini gradën e bamirësisë, shpërblimi i së cilës është Xheneti, derisa të shpenzoni për hir të Allahut pasuritë dhe mirësitë më të vyera dhe më të dashura që keni. Nëse ju do t’i jepni përparësi dashurisë për Allahun kundrejt çdo dashurie tjetër dhe, për hir të kësaj dashurie, do të shpenzoni gjërat më të vyera që zotëroni, atëherë kjo është tregues për sinqeritetin e imanit tuaj, për bamirësinë e zemrës suaj, për sigurinë tuaj të plotë në ndjekjen e udhëzimit dhe për devotshmërinë ndaj Zotit tuaj. Por çfarë nënkupton “dhënia prej pasurisë më të shtrenjtë për ju”, siç e cilëson Allahu? Ky kategorizim përfshin disa nocione, si për shembull:

– Shpenzimin për hir të Allahut të pasurive më të mira e më të vyera që zotëron njeriu.

– Shpenzimin e pasurive dhe mirësive që zotëron njeriu, në momentet a situatat që ai i dëshiron ato më së shumti për vete, madje edhe kur është në nevojë shumë të madhe për to.

– Shpenzimin në një kohë kur njeriu është i shëndetshëm dhe i ka mundësitë që të shpenzojë. Ajeti tregon se grada e bamirësisë (el bir-ru) së robit varet nga shkalla e shpenzimit të pasurive dhe mirësive më të mira që ai zotëron. Kështu, sa më i vogël e i mangët të jetë shpenzimi, aq më e ulët është grada e bamirësisë që adhuruesi kërkon ta arrijë. Ndoshta ky ajet i Allahut të Lartësuar mund të keqkuptohet nga ndonjë, duke menduar se adhuruesi do të shpërblehet veçse nëse jep prej pasurisë më të shtrenjtë që ai zotëron.

Por kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka lidhje aspak me bujarinë e Mëshirëplotit. Allahu i Lartësuar do t’i shpërblejë të gjithë ata që japin prej pasurive dhe mirësive që zotërojnë, qofshin ato të pakta apo të shumta, qofshin ato të dashura për shpirtin e tyre apo jo. Për çdo shpenzim të dhënë për të arritur kënaqësinë e Allahut, robi do të shpërblehet. E pikërisht për të larguar këtë keqkuptim, Allahu i Lartësuar thotë:

– “Çfarëdo që të jepni, Allahu, pa dyshim e di.” – Pra, Allahu i Lartësuar nuk humbet asnjë vepër të kryer nga robi. Në varësi të qëllimit të robit dhe dobisë së arritur, Allahu i Lartësuar do të dhurojë shpërblimin e Tij, siç i takon të Drejtit, të Urtit dhe Bamirësit me krijesat.