– “Asnjë besimtar nuk duhet ta vrasë një besimtar tjetër, përveçse gabimisht.” – Këtu kemi të bëjmë me një stil shumë të veçantë për të treguar se diçka është e ndaluar dhe kurrë nuk duhet të ndodhë. Pra, është e pamundur që një besimtar të vrasë me qëllim një besimtar tjetër. Kjo tregon se ndalesa e këtij krimi është shumë e madhe dhe e përforcuar. Ai është një nga krimet më të rënda, që bien ndesh me imanin dhe atë që imani nënkupton.
Kjo vepër mund të pritet nga një jobesimtar ose nga një kriminel, që ka iman shumë të dobët, por jo nga një besimtar i vërtetë, sepse besimi i saktë e ndalon njeriun nga vrasja e vëllait të tij besimtar. Besimi është një akt vëllazërimi mes besimtarëve, akt i cili e shton dashurinë, mbështetjen mëshirën dhe faljen mes tyre. Besimtari e ruan vëllain e tij nga çdo dëm dhe rrezik. Por, a ka dëmtim më të madh sesa marrja e jetës?! Këtë e vërteton edhe thënia e Profetit (a.s.): “Mos u ktheni pas meje si mohues e të vrisni njëri-tjetrin!”.
Kjo tregon se vrasja e besimtarit është vepër kufri dhe konsiderohet si një nga gjynahet më të mëdha pas shirk-ut dhe idhujtarisë. Nga fjala e Allahut të Lartësuar kuptohet se ky është krim i rëndë në çdo lloj gjendjeje e situate, përveç rastit kur bëhet pa dashje. Pra, ai që vret pa qëllim ose pa dashje nuk merr gjynah për vrasjen dhe nuk gjykohet si shkelës i kufijve të Zotit. Megjithatë, duke qenë se vepra në vetvete është shumë e rëndë, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që të bëhet kompensim për të:
– “Kushdo që vret gabimisht një besimtar, ai është i detyruar të lirojë një skllav besimtar dhe shpagimin (e gjakut) t’ia dorëzojë familjes së tij, veç në qoftë se ata ia falin (gjakun).” – Pra, nuk ka ndryshim dhe rëndësi a është vrasësi mashkull apo femër, i lirë apo skllav, minoren apo në moshë madhore, i aftë mendërisht apo i sëmurë, musliman apo jomusliman. Kjo kuptohet nga fjala ‘men’ – kushdo, e cila është gjithëpërfshirse. Gjithashtu, nuk përbën ndonjë ndryshim fakti që i vrari është mashkull apo femër, i vogël apo i madh.
Kjo kuptohet nga përdorimi i një emri të pashquar në kontekstin e një fjalie kushtore, dhe në gjuhën arabe kjo rrethanë e bën emrin gjithëpërfshirës. Për vrasësin është detyrë çlirimi i një skllavi besimtar, dhe nuk është përcaktuar se si duhet të jetë ky skllav: mashkull apo femër, i vogël a i madh, i saktë apo i sëmurë dhe me mangësi. Megjithatë, po të shohësh urtësinë e këtij lloji kompensimi, del se lirimi i një skllavi të mangët mendërisht është i pavlefshëm, sepse qëllimi i lirimit nga skllavëria është dobia e të liruarit, e pasurisë dhe interesave të tij.
Kësisoj, nëse këto dobi nuk arrihen me lirimin e tij apo ndodh e kundërta, atëherë lënia e skllavit në zotërimin e pronarit të tij është më e dobishme për të, prandaj çlirimi i tij nuk vlen si mënyrë kompensimi për rastin në fjalë. Madje, po të shihet më thellë në kuptimin e shprehjes “tahrir el rakabeh” – “çlirimi i një skllavi”, do të arrihet në të njëjtin përfundim të thënë më sipër.
Fjala “çliroj” do të thotë: “të lësh të lirë dikë që t’i shfrytëzojë vetë dobitë dhe aftësitë e tij, që më përpara ishin nën pronësinë e dikujt tjetër”. Por nëse ai nuk është në gjendje të bëjë një gjë të tillë, atëherë çlirimi i tij nuk ka vlerë. Mendohu pak për këtë, sepse është shumë e qartë dhe e kuptueshme! Për sa i përket kompensimit financiar (el dijeh), ai është i detyrueshëm për rastin e vrasjes gabimisht, ose të vrasjes jo me paramendim.
Kompensimi i dorëzohet familjes së viktimës, pra, atyre që e trashëgojnë atë. Kur trashëgimtarët ndajnë mes tyre pasurinë e tij, kjo pagesë futet gjithashtu te kjo pasuri. Nëse trashëgimtarët e viktimës e falin vrasësin, ai çlirohet nga ky detyrim. Kjo është një nxitje për të falur dhe toleruar, sepse Allahu i Lartësuar e ka quajtur si “sadaka”, dhe sadakaja është e inkurajuar në çdo kohë dhe gjendje.
– “Në qoftë se ai (i vrari gabimisht) është besimtar, por i takon një populli që është në luftë me ju, atëherë është detyrim vetëm lirimi i një skllavi besimtar.” Në qoftë se ai (i vrari) është nga një popull me të cilin ju keni marrëveshje, atëherë është detyrim që familjes së tij t’i dorëzohet shpagimi (i gjakut) dhe që të lirohet një skllav besimtar.” – Pra, kur viktima është nga një popull me të cilin muslimanët kanë lidhur marrëveshje për paqe, atëherë është detyrë dhënia e kompensimit financiar. Kjo bëhet për të respektuar familjen e viktimës, me të cilën është lidhur marrëveshja e paqes.
– “E, kush nuk ka mundësi (të lirojë një skllav), le të agjërojë dy muaj rresht, si formë pendese para Allahut.” – Ai që nuk ka skllevër për të liruar apo nuk ka pasuri për ta bërë një gjë të tillë, atëherë e ka detyrë të agjërojë dy muaj të njëpasnjëshëm, pa ndërprerje. Pra, gjatë këtyre dy muajve, nuk i lejohet ta ndërpresë agjërimin pa arsye të pranueshme nga Sheriati, si për shembull, kur sëmuret apo, në rastin e gruas, kur është me menstruacione etj.
Nëse e prish agjërimin pa asnjë arsye të tillë, atëherë vijueshmëria e agjërimit konsiderohet e thyer dhe agjërimi i dy muajve duhet nisur nga e para. Ky lloj agjërimi që Allahu i Lartësuar e ka bërë detyrë për vrasësin, është një mundësi që atij i jepet për t’u penduar dhe një mëshirë e madhe për të. Ai është një shans për faljen e gjynaheve dhe një edukim për njeriun që të mos jetë më i nxituar dhe i papërmbajtur, ashtu siç ndodh shpesh në vrasjet pa dashje.
– “Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” – Allahu i Lartësuar është i Plotë dhe Absolut në dijen dhe në urtësinë e Tij. Atij nuk i fshihet asgjë: as në qiell, as në tokë, e madhe apo e vogël qoftë, në çdo kohë e çdo vend. Asgjë nuk del jashtë urtësisë së Tij, krijesë qoftë apo vendim i Tij, ligj apo dispozitë. Në këtë kuadër, edhe ligji mbi kompensimin për vrasjen është tejet i përshtatshëm për krimin e kryer. Vrasësi largon nga jeta një njeri, i cili është i ndaluar që të vritet.
Për këtë arsye, është shumë me vend që ai të nxjerrë nga skllavëria një skllav. Nëse nuk gjen skllav për të liruar dhe nuk ka pasuri, atëherë agjëron dy muaj rresht, duke çliruar kështu veten e vet nga skllavëria ndaj epshit dhe pasioneve të kësaj jete të shkurtër dhe mashtruese, që e pengojnë nga qëllimi final i jetës dhe nga rruga drejt lumturisë së përjetshme, pra, nga adhurimi i Zotit.