– “Ata nuk e madhëruan Allahun ashtu si e meriton kur thanë: “Allahu nuk i shpalli gjë askujt” – Ky është një poshtërim dhe qortim i rëndë për jehudët dhe idhujtarët që mohuan Shpalljen, duke pretenduar se Allahu kurrë nuk i ka shpallur ndonjë gjë njerëzve. Kush thotë të tilla fjalë, nuk e ka vlerësuar Allahun ashtu si i takon madhështisë së Tij. Ky është një cenim i urtësisë së Allahut. Ky është, gjithashtu, një pretendim i paturpshëm se Allahu i ka lënë robërit e Tij të çoroditur, të paudhëzuar dhe pa i urdhëruar e ndaluar, pa u vendosur kufij e ligje, që duhet t’u përmbahen e t’i zbatojnë.
Këto fjalë janë shprehje e mosmirënjohjes për mirësinë më të madhe që Ai u dhuroi njerëzve – Shpalljen e Tij. Shpallja është e vetmja rrugë për njerëzit që të arrijnë lumturinë, nderin dhe fitoren në çdo aspekt. E ku ka cenim më të madh dhe shpifje më të shëmtuar sesa të pretendosh se Zoti kurrë nuk u ka shpallur gjë njerëzve?! Duke i bërë të kuptojnë kotësinë dhe pavërtetësinë e fjalëve të tyre dhe të pranojnë atë që edhe vetë ata e besojnë, Allahu thotë:
– Thuaj: “Kush e zbriti Librin, me të cilin erdhi Musai – një dritë e udhërrëfyes për njeriun? Por ju e keni bërë atë të shpërndarë në fletë (të veçanta), duke shfaqur disa prej tyre, por duke fshehur një pjesë të madhe të tyre.“ – Kush e shpalli Teuratin e madh? Kush e bëri atë dritë, që largon errësirat e injorancës? Kush e bëri atë udhëzim, që të shpëton nga humbja dhe devijimi? Kush e bëri atë udhëzues për në rrugën e drejtë, me dijen e saktë dhe veprat që urdhëron të zbatohen? Teurati është një libër, që u bë i famshëm në botë dhe që mbushi mendjet dhe zemrat e njerëzve.
Por njerëzit filluan ta kopjonin atë nëpër fletë, pra, filluan të fusnin duart e ta manipulonin ashtu si donin. Atë që u përshtatej dëshirave të tyre e shfaqnin, ndërsa atë që binte ndesh me dëshirat e tyre e fshihnin, dhe kjo ka ndodhur shpesh dhe gjatë gjithë historisë.
– “Juve ju mësua ajo që nuk e dinit – as ju e as prindërit tuaj.“ – Prej këtij libri, ju dhe paraardhësit tuaj mësuat shumë gjëra që nuk i dinit. Pasi t’i pyesësh ata se kush e shpalli Teuratin, këtë libër madhështor dhe të dobishëm, atëherë ti thuaju:
– “Allahu”. Pastaj, lëri ata të zhyten në kotësinë e tyre.“ – Allahu është Ai që e zbriti Shpalljen. Me këtë përgjigje zbardhet plotësisht e vërteta, aq sa të padrejtëve nuk u mbetet më asnjë justifikim. Pasi t’u japësh këtë përgjigje, atëherë lëri të luajnë dhe të koten në humbjen ku janë zhytur, derisa të vijë Dita e Premtuar.