Select Page

– “Thuaj: “Unë nuk kërkoj për këtë asnjë shpërblim prej jush.” – Thuaju atyre që i kthejnë shpinën ftesës tënde: “Unë nuk po ju kërkoj ndonjë shpërblim për transmetimin e të vërtetës dhe për ftesën që ju bëj. Kështu, ju nuk keni si të thoni se e refuzoni ftesën time sepse jeni rënduar nga kërkesat dhe shpenzimet. Shpërblimi im është veçse nga Allahu i Madhëruar dhe vetëm Atij ia kërkoj dhe e shpresoj.”!

– “Ky është veçse një mesazh për mbarë njerëzimin.” – Kjo është një këshillë për njerëzimin, që ata të ndërgjegjësohen për çdo gjë të dobishme e të inkurajohen për ta kryer atë, të ndërgjegjësohen për atë që u bën dëm dhe të nxiten për t’iu larguar asaj.

Kjo shërben gjithashtu që njerëzit të njohin Zotin e tyre, me emrat, cilësitë dhe veprat e Tij të mrekullueshme, të kujtojnë e mësojnë se cilat janë virtytet më të larta njerëzore dhe rrugët për t’i arritur ato, si edhe të kuptojnë se cilat janë veset dhe rrugët që të shpien në to.

Duke qenë një përkujtim për gjithë botën, ajo është mirësia më e madhe që Zoti ka falur ndonjëherë, mirësi të cilën ata duhet ta pranojnë me përunjësi dhe t’i shprehin mirënjohjen e plotë Atij që ua dhuroi.