– “… Që ju ta besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, …” – Për shkak të ftesës së qartë dhe të bukur të Profetit, për shkak të mësimit prej tij të çdo gjëje të mirë dhe të dobishme, ai u dërgua që njerëzit të besojnë Allahun dhe Profetin e Tij në mënyrën më të saktë dhe të qartë. Ky besim kërkon që njerëzit të binden dhe të jetojnë sipas urdhrave e porosive të tyre, në të gjitha çështjet.
– “… të cilin ta përkrahni e ta respektoni, …” – Ta respektoni, duke plotësuar të drejtat dhe përgjegjësitë ndaj tij. Profeti meriton respektin tuaj të plotë, sepse nëpërmjet tij, Zoti ju çliroi nga mosbesimi dhe ju dhuroi lirinë që ju fal besimi.
– “… dhe që ta lartësoni (Allahun) mëngjes e mbrëmje” – Kuptimi: Ta madhëroni, lartësoni e lavdëroni Allahun, duke bërë tesbih mëngjes e mbrëmje! Në këtë ajet përmenden tri lloje detyrimesh:
1. Detyrimi i robërve kundrejt Allahut dhe Profetit, i cili është besimi tek ata të dy dhe bindja ndaj tyre.
2. Detyrimi i veçantë ndaj Profetit (a.s.), i cili është respektimi i tij.
3. Detyrimi i veçantë ndaj Zotit, i cili është madhërimi e lavdërimi i Tij me tesbih, namaz e vepra të tjera.