Select Page

Për herë të pestë duhet të thotë: “Zemërimi i Allahut qoftë mbi mua nëse ai (im shoq) ka thënë të vërtetën!”. – Në të pestën shton dhe thotë: “Zemërimi i Allahut qoftë mbi mua nëse ai (im shoq) ka thënë të vërtetën!”. Pasi plotësohen procedurat, gjykohet dhe vendoset që ata të dy të ndahen për të mos u lejuar më të bashkohen në këtë jetë. Nëse gruaja është shtatzënë, pas këtij gjykimi ai fëmijë nuk i njihet bashkëshortit.

Ajetet tregojnë se për saktësinë e këtij procesi gjykimi është kusht që të thuhen saktësisht formula e dëshmisë dhe mallkimit, me fjalët e sjella në Kur’an, qoftë nga burri, qoftë nga gruaja, dhe është kusht, gjithashtu, të bëhet betimi me radhë, në fillim burri, pastaj gruaja. Betimi duhet bërë pa hequr apo shtuar fjalët e formulës së përcaktuar në Kur’an. Mallkimi bie mbi burrin, nëse akuzon gruan e tij padrejtësisht, ashtu si zemërimi i Allahut bie mbi gruan nëse burri i saj thotë të vërtetën. Pasi realizohet procesi i betimit dhe mallkimit, burrit i hiqet e drejta për atësinë e fëmijës, edhe nëse mund të ketë ngjashmëri. Ngjashmëria nuk merret për bazë në këtë rast gjykimi, sepse ajo është nuk është fakt i prerë, që mund të shërbejë për të hedhur poshtë gjykimin. E drejta e atësisë mund të përfitohet veçse me argumente bindëse.135

135  Sot mbase këtë e lehtëson analiza e AND-së dhe metodat shkencore.Duke folur për këtë histori imam Ibnul Kajim thotë: “Tani ne do të tregojmë historinë e shpifjes së madhe. Kështu Aisheja shkoi së bashku me Pejgamberin a.s. në atë ekspeditë, pas shortit që fitoi, sikurse ishte zakoni i Pejgamberit a.s. me gratë e tij. Gjatë rrugës së kthimit, ata zbritën në një vendbanim të braktisur. Ndërkohë, Aisheja doli nga koçia me të cilën udhëtonte, për disa nevoja të sajat, dhe, gjatë kthimit, i humbet një gjerdan, të cilin ajo ia kishte marrë hua motrës së saj. Atëherë ajo kthehet të kërkojë gjerdanin e humbur. Njerëzin që bartnin koçinë e Aishes, e ngritën atë mbi deve dhe vazhduan rrugën, duke menduar se ajo ishte ende brenda, ngaqë Aisheja ishte e vogël në moshë dhe e lehtë në trup; nuk ishte e shëndoshë dhe e rëndë. Pastaj, edhe fakti që ishin shumë njerëz që e mbanin koçinë, ndikoi që ata të mos e ndienin mungesën e saj; nëse mbartësit do të ishin një ose dy vetë, ndoshta do ta dallonin mungesën e saj. Aisheja, pasi gjeti gjerdanin, u kthye te vend-fushimi, por nuk gjeti atje asnjë. Atëherë ajo u ul diku, në një qoshe, duke menduar se do ta ndienin mungesën e saj dhe do të ktheheshin për ta marrë.

Por Allahu i Madhëruar kujdeset dhe i rregullon çështjet e Tij ashtu si i dëshiron të jenë; Ai i administron çështjet që nga sipër Arshit të Vet. Atëherë Aishen e kapi fillimisht një dremitje e lehtë, pastaj e zuri gjumi. Ajo zgjohet veç nga zëri i Safuan Ibn Muatilit, i cili po thoshte: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! Qenka gruaja e Pejgamberit të Allahut!” Safuani kishte mbetur pas ushtrisë, sepse flinte shumë, dhe ishte sistemuar diku larg ushtrisë, siç thuhet në librin “Sahih” të Ebu Hatimit dhe në “Sunen”. Ai e njohu Aishen, sepse e kishte parë edhe përpara se të shpalleshin ajetet mbi hixhabin. Safuani vazhdonte e thoshte lutjen. “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!” Pastaj ia afron Aishes kafshën e tij dhe ajo hipën. Safuani nuk i tha Aishes as edhe një fjalë të vetme. Aisheja nuk dëgjonte tjetër gjë prej tij, veç shprehjes: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!” Safuani e shoqëroi Aishen derisa mbërritën në kampin i ushtrisë, i cili tashmë ndodhej në vendin e quajtur Nahru el Dhahira.

Kur njerëzit i panë të mbërrinin, atëherë secili foli sipas natyrës që kishte. Këtu gjeti ku të kapet edhe armiku i Allahut, më i poshtri i munafikëve, Abdullah Ibn Ubeji. Këtu ai mori frymë thellë dhe filloi të vjellë vrerin e hipokrizisë dhe smirës që mbushnin brinjët e tij. Ai filloi të fliste mbarë e prapë, të trillonte dhe të përhapte shpifjen e madhe. Ata që rrinin rreth tij, i serviloseshin atij duke folur sa më shumë për këtë ngjarje të shpifur dhe të trilluar. Me të mbërritur në Medinë, trilluesit e përhapën menjëherë shpifjen e tyre. Ndërkohë, Pejgamberi a.s. vetëm heshte dhe nuk fliste. Nën gjithë këtë trysni trillimesh dhe fjalësh të rënda, Pejgamberi a.s. filloi të këshillohej me shokët e tij rreth mundësisë së ndarjes nga gruaja e tij. Aliu r.a. i sugjeroi atij që të ndahej dhe të martohej me dikë tjetër, ndonëse ky sugjerim nuk ishte i drejtpërdrejtë, por i nënkuptuar nga fjalët e tij. Ndërsa Usama dhe të tjerë ngulmuan që Pejgamberi a.s. ta mbante bashkëshorten dhe të mos ndikohej nga fjalët dhe trillimet e armiqve të tij. Në fakt, Aliu, ia dha atë sugjerim të nënkuptuar për divorc vetëm sepse pa Pejgamberin a.s. të zhytur në trishtim dhe ankth.

Përderisa fjalët e përhapura ishin të dyshimta, atëherë ai gjykoi se, ndoshta, do të ishte lehtësuese për Pejgamberin a.s. që të merrte në konsideratë sigurinë dhe të qetësohej duke u ndarë nga gruaja e tij. Ndërsa Usama gjykoi ndryshe, sepse ai e dinte shumë mirë dashurinë e madhe të Pejgamberit a.s. për Aishen dhe për të atin e saj. Usama e njihte mirë ndershmërinë, mirësinë, pastërtinë dhe besimin e lartë të Aishes, virtyte këto të cilat bënin që ajo të ishte shumë e lartë dhe tejet larg atij akti. Usama ishte gjithashtu shumë i bindur për madhështinë dhe gradën e lartë të Pejgamberit a.s. tek Allahu i Madhëruar, kësisoj nderi i tij nuk mund të përdhosej në atë mënyrë. Allahu i Lartësuar është i Madhërishëm dhe i Pastër nga çdo e metë, sa s’mund të lejonte diçka të tillë.

Nuk kishte mundësi që Ai të lejonte që, zonja e shtëpisë së Pejgamberit a.s., e bija e të Sinqertit (Ebu Bekrit), të binte në atë nivel për të cilin flisnin dhe trillonin shpifësit. Vërtet, grada, nderimi, dhe rëndësia që Pejgamberi gëzonte tek Zoti i tij, e përjashtonin mundësinë që Ai të lejonte që Pejgamberi a.s. të martohej dhe të jetonte me një imorale. Gjithashtu Aisheja, bija e të Sinqertit, e dashura e Pejgamberit a.s., ishte shumë e pastër dhe e dëlirë, sa nuk mund të sprovohej dhe të binte në gabimin e imoralitetit, ndërkohë që ishte dhe bashkëshorte e Pejgamberit a.s. Pra, Allahu nuk do ta sprovonte një grua kaq të lartë e kaq fisnike me një gabim të tillë.  Ata të cilët kishin njohje të thellë rreth Allahut të Madhëruar, Pejgamberit të Tij dhe gradës së lartë të këtij Pejgamberi tek Allahu, filluan të thoshin ashtu sikurse Ebu Ejubi dhe sahabët e mëdhenj, kur dëgjuan këto shpifje: “I Pastër je, o Zoti ynë, nga çdo e metë! Kjo është një shpifje shumë e madhe!” (Nur 16).