Select Page

O Musa! Unë jam Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti!Allahu i Madhëruar e njofton atë se Ai është i vetmi që mertiton të adhurohet. Ashtu siç ka ardhur në një ajet tjetër: “Jam Unë Allahu. Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Meje. Pra, vetëm Mua më adhuro dhe fale namazin rregullisht për të më kujtuar Mua!” [Ta Ha 14]. Ai është El Aziz – i Plotfuqishmi, Krenari, Ngadhënjimtari, i cili i ka nënshtruar të gjitha gjërat dhe çdo krijesë është nën pushtetin e Tij. Allahu është El Hakim – i Urtë. Ai është i urtë në çdo gjë që ka krijuar.

Prej urtësisë së Allahut është edhe fakti se Ai e dërgoi si Profet Musain, birin e Imranit. Allahu e dinte mirë se Ai vlente dhe ishte i duhuri për të mbajtur peshën e profetësisë dhe për t’i folur drejtpërdrejt. Allahu është Krenari e Ngadhënjimtari, dhe për këtë tregon edhe fakti se zemra e robit anon tek Ai dhe ndien qetësi e siguri pranë Tij edhe kur robi është i vetmuar e kundër armiqve të shumtë, të ashpër, tiranë dhe të pamëshirshëm.

Edhe sikur kundër teje të jetë e gjithë bota, je i qetë dhe në prehje pranë Allahut, që është Aziz, Krenar Ngadhënjimtar, sepse të gjitha krijesat janë në dorë të Allahut dhe nën pushtetin e Tij. Asgjë nuk lëviz ose të qëndrojë në prehje pa lejen e Zotit të Plotpushtetshëm.