– Nga ai (Kur’ani) largohen ata që shpërfillin të Vërtetën. – Prej tij largohen ata që shpërfillin imanin, duke e penguar zemrën që të ndriçohet nga argumentet e pamohueshme të Zotit. Qëndrimet e tyre kontradiktore rreth Muhamedit (a.s.) dëshmojnë për pasaktësinë e tyre, përkundër të vërtetës që solli Muhamedi (a.s.), e cila është në harmoni të plotë me vetveten.
Fjalët dhe udhëzimet e tij sqarojnë e vërtetojnë njëra tjetrën. Kjo tregon për vërtetësinë e tyre dhe për faktin se ato janë shpallje e Allahut të Lartësuar, sikurse thotë i Lartësuari: “A nuk meditojnë ata rreth Kur’anit? Sikur të ishte prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, do të kishin gjetur në të shumë kundërthënie.” [Nisa 82].