– “Nëse ti i pyet ata “Kush i krijoi qiejt e Tokën?”, me siguri do të thonë: “I krijoi i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri!”” – Allahu i Lartësuar na tregon rreth besimit të idhujtarëve. Kështu, nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e lartë dhe Tokën e mrekullueshme, ata do të pohojnë se Krijuesi i tyre është Allahu i Lartësuar, Fuqiplotë e i Gjithëditur. Pra, ata e pranojnë që Krijuesi i gjithësisë është Allahu i Madhërishëm dhe e pranojnë se Ai është Fuqiplotë dhe i Gjithëditur. Çdo krijesë është e nënshtruar dhe e përulur para Tij.
Allahu di për gjithçka në këtë gjithësi. Ai di të dukshmen dhe të fshehtën dhe Atij nuk mund t’i fshihet asgjë. Subhanallâh! Kur ata e pranojnë një gjë të tillë, si është mundur që shpifin ndaj Allahut, duke thënë se Ai ka fëmijë, grua apo partner në pushtetin dhe zotërimin e Tij?! Si është e mundur që t’i përkushtojnë adhurime dikujt që nuk ka fuqi të krijojë, të furnizojë, të japë jetë dhe të japë vdekje?! Pastaj i Lartësuari argumenton për pushtetin e Tij gjithëpërfshirës dhe mirësitë e Tij të shumta me faktin që Ai është Krijuesi dhe Rregulluesi i Tokës, me të gjitha kushtet e përshtatshme në të. Ai thotë: