Select Page

– “Nëse dy grupe besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, ju pajtojini ata!” – Kjo është një dispozitë që i ndalon besimtarët nga padrejtësia apo lufta ndaj njëri-tjetrit. Nëse dy grupe besimtarësh nisin luftë kundër njëri-tjetrit, është detyrë për besimtarët e tjerë që ta shuajnë këtë sherr të madh. Të gjithë e kanë detyrë që të pajtojnë palët në konflikt, duke shfrytëzuar çdo rrugë e mjet të lejuar për arritjen e këtij qëllimi të lartë. Nëse ia arrijnë t’i pajtojnë, kjo është mirësi e madhe. Por:

– “Nëse njëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë ju luftoni atë grup që ka sulmuar pa të drejtë, derisa t’i bindet udhëzimit të Allahut!” – Luftoni atë grup që ka sulmuar pa të drejtë, derisa të kthehen në kufijtë e vendosur nga Zoti dhe të sqaruar nga Profeti i Tij. Allahu i Madhëruar urdhëron gjithmonë për të bërë mirë dhe për t’iu larguar të ligës dhe, pa dyshim, një ndër ligësitë më të mëdha është lufta mes besimtarëve dhe përçarja e tyre.

– “Nëse kthejnë rrugë, atëherë bëni pajtimin e tyre me drejtësi dhe paanësi!” – Ky është urdhër për rregullim të marrëdhënieve mes besimtarëve, por duke mbajtur drejtësinë e pa cenuar asnjë palë. Allahu i Madhëruar e ka theksuar një kusht të marrëveshjes, duke thënë: “me drejtësi”, sepse shpesh palët mund të bien dakord dhe të pajtohen, por duke shkelur të drejtën e njërës palë. Të tilla marrëveshje nuk janë të porositura nga Allahu i Drejtë dhe i Urtë. Drejtësia e kërkon që të mos i jepet përparësi njërës palë, në kurriz të tjetrës, për çfarëdolloj shkaku, si mund të jetë afërsia farefisnore apo ndonjë tjetër, që sjell devijimin nga drejtësia.

– “Allahu i do të drejtët. ” – Allahu i do të drejtët në gjykimet e tyre mes njerëzve, në çdo çështje që u ngarkohet apo për të cilën u kërkohet gjykim. Madje, këtu mund të hyjë edhe drejtësia në familje apo në trajtimin e fëmijëve. Në një hadith të saktë të Profetit (a.s.) thuhet: “Të drejtët do të jenë tek Allahu në poltrona prej drite. Këta janë njerëzit që gjykojnë me drejtësi në familjet e tyre dhe për çdo çështje me të cilën ngarkohen.”