Select Page

– “Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe ata që besojnë …” – Mashtrimi është vepra e hipokritit, i cili shfaq diçka dhe fsheh diçka tjetër, për të mashtruar dhe për të arritur qëllimet e tij kundrejt të mashtruarit. E tillë është sjellja e munafikëve kundrejt Allahut të Lartësuar dhe adhuruesve të Tij besimtarë. Por, ky mashtrim dhe kjo hipokrizi kthehet kundër tyre:

  – “… por, në fakt, ata mashtrojnë veçse vetveten, dhe këtë nuk e ndiejnë …” – Vërtet, kjo është e çuditshme, sepse mashtruesit, në përgjithësi, ose kanë sukses me mashtrimet e tyre, duke e arritur atë që synojnë, ose dalin as të humbur e as të fituar. Por kjo nuk ndodh me ata që përpiqen të mashtojnë Allahun dhe besimtarët. Dëmet e mashtrimit dhe të hipokrizisë, në këtë rast, rëndojnë dhe godasin pikërisht vepruesit e tyre. Ata nuk bëjnë gjë tjetër, por veçse thurin kurthe dhe mashtrime për të dëmtuar vetveten, sepse Allahu i Madhëruar kurrë nuk mund të dëmtohet nga kurthet dhe mashtrimet e tyre.

Edhe ndaj adhuruesve të Tij besimtarë, kurthet e tyre mashtruese nuk kanë asnjë lloj ndikimi a dëmi. Fakti që hipokritët shfaqin besimin, nuk i dëmton dhe nuk i mashtron aspak besimtarët. Edhe pse me këtë hile ata mund të ruajnë të paprekur pasuritë e tyre dhe të shpëtojnë kokën, ata kurrsesi nuk mund t’i shpëtojnë poshtërimit që përjetojnë në shpirtin e tyre, nuk mund t’i shpëtojnë dëshpërimit dhe përuljes, që vijnë si pasojë e krenarisë, forcës dhe suksesit që përjetojnë besimtarët në mënyrë të vazhdueshme.

Pastaj, në jetën tjetër, për ta është rezervuar një ndëshkim i ashpër, i dhembshëm dhe befasues, si pasojë e mohimit dhe e poshtërsisë së tyre. Megjithatë, për shkak të injorancës dhe mendjelehtësisë që kanë, ata nuk e ndiejnë këtë kërcënim.