Select Page

(Kujto) Edhe Zekirijan kur iu lut Zotit të vet: “O Zoti im! Mos më lër të vetëm (pa fëmijë)! – Kujtoje adhuruesin dhe profetin Zekeria, që të nxjerrësh në pah vlerat e mëdha të tij! Një ndër cilësitë më të spikatura të tij ishte kujdesi i madh për popullin e tij, që mes tyre të kishte gjithmonë profetë e paralajmërues. Pikërisht me këtë qëllim, kur ishte në prag vdekjes, Zekeria u lut dhe tha: “O Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat e më është zbardhur koka nga thinjat. O Zoti im! Unë asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar me lutjet e mia drejtuar Ty.”.

Unë kam frikë për popullin tim (se do të mbeten pa udhëheqës) pas meje dhe gruaja ime është beronjë. Më dhuro nga mirësia Jote një trashëgimtar (të denjë) të jetë trashëgimtari im dhe i familjes së Jakubit dhe bëje atë, o Zoti im, të mirë!” [Merjem 4 – 6]. Nga këto ajete kuptojmë qëllimin e lutjes së Zekerias: “O Zoti im! Mos më lër të vetmuar!” Pra, kur pa se po i afrohej vdekja, u druajt se askush nuk do të vazhdonte t’i ftonte njerëzit në rrugën e Allahut, që t’u mësonte atyre fenë e vërtetë dhe ritet e adhurimeve.

Ti je trashëgimtari më i mirë. – Ti, o Zot, je më i miri dhe më i dashuri që do të kujdeset për popullin tim, pasi unë të vdes. Ti je më i mëshirshëm për njerëzit sesa unë, por unë dua të më qetësohet zemra e të më rehatohet shpirti. Unë dëshiroj që, nëpërmjet këtij fëmije, të më shtohet pesha e veprave të mia të mira.