– ”Veç Allahut mos adhuro asnjë zot tjetër! Nuk ka të adhuruar tjetër (të merituar) veç Tij.” – Askush përveç Allahut nuk meriton që ta adhurosh, ta duash me gjithë shpirt dhe ta madhërosh e t’i nënshtrohesh! Allahu është i plotë e absolut në emrat e cilësitë e Tij. Ai është i Përjetshmi, për të Cilin të gjithë kanë nevojë. Ndërsa çdo gjë tjetër do të zhduket dhe ka një fund në këtë dynja:
– ”Çdo gjë, përveç Atij do të zhduket.” – Duke qenë se çdo gjë veç Tij është e kotë dhe e ka një fund, edhe adhurimi i asaj që do të zhduket e përfundojë është i kotë dhe i gabuar. Allahu është i Vetmi e i Përjetshmi. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Atij i takon gjykimi e vendosja e ligjit në dynja dhe në ahiret.
– ”Vetëm Atij i takon i gjithë Gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!” – Duke qenë se Allahu është i Vetmi i Përjetshëm, Ai në dorë të të cilit është ligji i dynjasë dhe ahiretit, dhe meqenëse tek Ai do të kthehen të gjithë për t’u shpërblyer, atëherë çdokush që ka sado pak logjikë e kupton dhe nënshtrohet që të adhurojë veçse Allahun si një dhe të pashoq.
Ai përkushtohet që të bëjë çdo punë që e afron pranë Tij dhe kujdeset shumë që të mos bëjë ato gjëra që zemërojnë Allahun dhe sjellin ndëshkimin e Tij. Ai përpiqet që, kur të kthehet tek Allahu, të jetë i penduar dhe i vendosur për të lënë gjynahet e gabimet e tij.
Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Kasas. Allahut i takojnë lavdërimet dhe madhërimi përgjithmonë.