Allahu i Lartësuar i frikëson robërit me atë që i pret në Ditën e Gjykimit, duke përmendur tmeret dhe gjendjet nëpër të cilat do të kalojnë e do të përballen.
– ”Ditën kur t’i fryhet Bririt, do t’u hyjë lemeria atyre që janë në qiej dhe atyre që janë në tokë …” – Nga zëri i Bririt, do të tmerrohen, prandaj do të hipin mbi njëri-tjetrin, si valët e detit të trazuar. Kjo është frika prej llogarisë e qëndrimit para Zotit.
– ”… përveç atyre që do Allahu …” – Këta janë ata që Zoti i ka zgjedhur për t’i nderuar, forcuar dhe ruajtur nga frika e asaj dite.
– ”… dhe të gjithë do të vijnë para Atij të përulur.” – Kur t’i fryhet Bririt, të gjitha krijesat do të vijnë të nënshtruar, të përulur e nevojtarë për faljen dhe mëshirën e Allahut, siç thotë Ai në një ajet tjetër: “Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur Të Gjithëmëshirshmit si rob.” [Merjem 93]. Atë ditë të gjithë do të jenë njëlloj dhe të barabartë, udhëheqësit dhe populli i thjeshtë. Të gjithë janë të nënshtruar dhe nevojtarë, syulur para Atij, në dorën e të Cilit është i gjithë sundimi e mbretërimi.