– “Allahu është Ai që Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij.” – Allahu i Lartësuar na tregon për njëshmërinë e Tij në meritueshmërinë e adhurimit. Ai është Zoti i vetëm që meriton t’i përkushtohesh me madhërimin, nënshtrimin, bindjen dhe dashurinë tënde. Vetëm Ai është i Adhuruari me meritë në gjithësi, sepse vetëm Ai është Absoluti në Qenien dhe në cilësitë e Tij. Vetëm në dorën e Tij është krijimi, sundimi, mbretërimi dhe përkujdesja për krijesat dhe çështjet e tyre.
Ai është Zotëruesi dhe Dhuruesi i të gjitha mirësive të dukshme dhe të fshehta. Ky përshkrim është, gjithashtu, një urdhër për ta njësuar Allahun në adhurim. Vetëm Ai duhet të jetë i Adhuruari, të Cilin duhet ta duam me gjithë qenien tonë, ta madhërojmë, t’i bindemi e nënshtrohemi me drojë. Ne duhet të përpiqemi të afrohemi tek Allahu me të gjitha llojet e adhurimeve të cilat Ai i ka përcaktuar si të tilla në Librin e Tij dhe në Traditën e Profetit të Tij. Vetëm Ai do t’i shpërblejë krijesat për gjithçka që bëjnë në këtë jetë, për adhurimet apo për shpërfilljen e tyre, prandaj i Lartësuari betohet për vërtetësinë e Ditës së madhe të Shpërblimit me drejtësi dhe urtësi:
– “Pa dyshim, Ai do t’ju tubojë Ditën e Gjykimit, për të cilën nuk ka dyshim.” – Kuptimi: Ditën e Gjykimit, Allahu ka për t’iu grumbulluar të gjithëve, nga i pari deri tek i fundit, në të njëjtin vend. Ajo është dita që nuk ka dyshim për vërtetësinë e saj. Argumentet logjike dhe fetare për atë ditë janë të shumta, si për shembull:
– Ringjallja e tokës së vdekur nëpërmjet ujit të zbritur nga qielli, si mëshirë prej Zotit.
– Krijimi i parë nga hiçi dëshmon se rikrijimi dhe rikthimi në jetë i krijesave pas vdekjes është më i pranueshëm dhe më i thjeshtë.
– Nëse Zoti është i Urtë, kjo e bën të detyrueshme që të ketë ringjallje, llogari dhe shpërblim me drejtësi të krijesave, sepse Ai nuk do t’i krijonte kurrë krijesat pa një qëllim, që thjesht të jetonin e të vdisnin, e kështu të vazhdonin në pafundësi. Drejtësia, urtësia dhe mëshira e Tij duhet t’i gjykojë dhe shpërblejë ato ashtu si e meritojnë.
– Ndërsa argumentet fetare të ardhura nga Profeti (a.s.) janë të shumta, siç është ky ajet dhe të tjerë të ngjashëm. I Lartësuari thotë më pas: “E cili mund të jetë në fjalë më i vërtetë se Allahu?!”. Pra, Allahu i Lartësuar betohet për vërtetësinë e kësaj dite, ashtu siç ka urdhëruar Profetin e Tij në disa raste në Kur’ân që të betohet për këtë të vërtetë. Në fakt, të gjithë profetët kanë folur për këtë të vërtetë të madhe dhe kanë këshilluar për t’u përgatitur për të.
– “Dhe, cili mund të jetë në fjalë më i vërtetë se Allahu?!” – Kjo tregon se fjala e Zotit dhe rrëfimet e Tij janë në shkallën më të lartë të vërtetësisë. Çdo gjë që thuhet në drejtim të besimit, fesë dhe riteve e që bie ndesh me fjalët dhe porositë e Zotit, ajo është e gabuar dhe e gënjeshtërt. Ajo nuk ka se si të jetë e vërtetë, sepse bie ndesh me fjalën absolutisht të vërtetë të Allahut të Lartësuar.