– ”Ti nuk ke shpresuar (ndonjëherë) se do të të shpallej Libri (Kur’ani) …” – Ti as që prisje të të jepej kjo Shpallje dhe as po përgatiteshe për diçka të tillë.
– ”… por kjo është mëshirë e Zotit tënd.” – Kjo ishte si mëshirë e Zotit për ty dhe për gjithë njerëzimin, prandaj Ai të dërgoi me këtë libër. Ai mëshiroi botën me këtë libër dhe u mësoi atyre atë që nuk e dinin. Ai do që t’i pastrojë ata. Allahu u mësoi Librin dhe Urtësinë, dhe pse më parë ata ishin në humbje të qartë dhe të thellë.
Nëse e mëson dhe bindesh se Shpallja ishte mëshirë për ty dhe për të gjithë njerëzit, atëherë të jesh i bindur se çdo urdhëresë e ndalesë e ligjëruar në të është mëshirë e mirësi shumë e madhe e dhuruar nga Allahu. Në zemrën tënde nuk duhet të ketë asnjë lloj ngushtie nga urdhëresat dhe ndalesat e sjella në të. Kurrë nuk duhet të mendosh se diçka tjetër mund të jetë më e mirë, më e përshtatshme dhe më e dobishme për njerëzimin, sesa kjo Shpallje, prandaj:
– ”Prandaj ti mos u bëj kurrë ndihmëtar i jobesimtarëve!” – Kurrë mos i ndihmo ata në kufrin e tyre! Kurrë mos u bëj pjesë e tyre! Kështu, është gabim shumë i rëndë që dikush të thotë për ndonjë nga ligjet e Zotit se është në kundërshtim me urtësinë, dobinë dhe mirësinë, sepse ky është mendim i mohuesve të Zotit dhe të shpalljeve të Tij.