– “Musai u kthye te populli i vet i zemëruar e i pikëlluar …” – Kur Musai u kthye tek populli i vet, ishte i mbushur me zemërim e dëshpërim. Ai iu drejtua atyre duke u treguar se sa e shëmtuar ishte ajo që kishin bërë:
– “… dhe tha: “O populli im! A nuk ju premtoi Zoti juaj një premtim të mirë?” – A nuk ishte një premtim i mrekullueshëm shpallja e Teuratit?
– “Apo mos vallë ju duk kohë e gjatë e ju e harruat premtimin?” – Mos, vallë, ju duk kohë e gjatë 40 ditë për të pritur? Ky është njëri nga kuptimet e ajetit, i përkrahur nga shumica e mufesirëve. Kuptimi tjetër është: Mos, vallë, kaloi kohë e gjatë që nuk keni pasur profet mes jush dhe nuk dini si të veproni?
Mos, vallë, janë zhdukur mësimet e tyre dhe ju jeni të paditur? Mos, vallë, ratë në idhujtari për shkak se ka humbur tradita e profetëve? Jo, sigurisht që nuk është kështu. Profetët dhe dituria profetike janë ende mes jush, prandaj çdo lloj justifikimi i tillë është i papranueshëm.
– “Apo dëshiruat të zbresë zemërimi nga Zoti juaj dhe e thyet besën që më patët dhënë?”. – Mos doni që t’ju përfshijë zemërimi i Zotit tuaj? Në fakt, kështu është. Ju, o të mjerë, i jeni futur një rruge që shkakton zemërimin e Zotit. Ju keni shkelur besën se do t’i bindeshit Zotit tuaj.
Musai u tha: “E shkelët besën që më patët dhënë mua”. Ju nuk vepruat siç ju porosita unë. Unë ju porosita të ishit këmbëngulës në rrugën e drejtë. Unë ju lashë Harunin si zëvendës, por ju nuk e dëgjuat as atë, ashtu siç nuk më dëgjuat mua, që nuk isha i pranishëm.