– “Mos zini pusi në rrugë, mos kërcënoni …” – Mos u zini njerëzve pusi në rrugë dhe mos i kërcënoni ata për tu marë atë që u takon atyre.
– “… dhe mos i pengoni nga udha e Allahut njerëzit që besojnë në Të, duke ua paraqitur si udhë të gabuar!” – Mos pengoni nga rruga e Allahut ata që duan të besojnë, duke u përpjekur ta paraqisni atë si rrugë të keqe! Këtë e bëni thjesht të shtyrë nga pasioni për poshtërsira, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta. Ju duhet të ndiqni fenë e Allahut, të cilën Ai e vendosi për robërit e Tij, që të jetojnë sipas saj. Ajo është rruga e vetme që të çon në kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe shpërblimin e përjetshëm në Xhenetin e Tij.
Me fenë e Tij, Zoti dëshiron t’i mëshirojë njerëzit, prandaj ajo e meriton që të mbështetet e jo të pengohet në përhapjen e saj. Ky do të ishte mohim i mirësive të Allahut dhe shprehje e armiqësisë ndaj Tij, prandaj mos pengoni të tjerët nga rruga e Zotit! Madje duhet të përkushtoheni për të qenë mirënjohës ndaj Tij për gjithçka që ju ka dhuruar.
– “Kujtoni sa pak keni qenë dhe se si Ai ju shumoi!” – Ai ju begatoi me gra dhe pasardhës të shumtë, duke ju shumuar e fuqizuar si popull i shëndetshëm. Nuk ju sprovoi me sëmundje a epidemi shfarosëse dhe as me ndonjë armik, që mund t’ju shuante apo t’ju shkulte nga vendi juaj. Përkundrazi, Zoti ju begatoi me mirësi, begati e paqe dhe ju shtoi në numër.
– “Shihni si ka qenë fundi i atyre që përhapnin shkatërrimin!” – Nëse shikoni fundin e tyre, do të kuptoni se nuk u vleu aspak numri i madh dhe bashkimi mes njëri-tjetrit. Ata nuk mbahen mend aspak për mirë. Në këtë jetë u mallkuan, ndërsa në jetën tjetër i pret ndëshkimi poshtërues dhe i dhembshëm.