Select Page

– “Kur t’ju përshëndesin, ju kthejani me një përshëndetje më të mirë ose me të njëjtën formë.” – Përshëndetja është një fjalë ose shprehje e ngrohtë e dashamirëse në formë lutjeje, që thuhet nga dy persona kur takohen me njëri-tjetrin. Përshëndetje quhet edhe një veprim që shpreh respekt e dashuri, si një buzëqeshje etj. Një ndër mënyrat e përshëndetjes, e cila ka bazë në Sheriat është dhënia e selamit.

Kështu Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar besimtarët që, nëse përshëndeten nga dikush, me çfarëdolloj përshëndetjeje, ta kthejnë atë me një përshëndetje më të mirë se ajo, qoftë në fjalët e përzgjedhura, qoftë në mënyrën e dhënies së saj, ose ta kthejnë njëlloj me përshëndetjen e marrë. Kjo tregon që moskthimi i përshëndetjes është haram, ashtu si edhe kthimi i saj me një formë më të ulët se e para. Nga ajeti kuptohet, gjithashtu, se është e pëlqyeshme që të jemi të parët që përshëndesim. Kjo kuptohet në këto dy aspekte:

1. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që përshëndetjen ta kthejmë me një formë më të mirë se ajo ose të njëjtë me të. Kjo tregon se Sheriati e nxit të përshëndeturit dhe, si i tillë, garimi për këtë veprim është po ashtu i inkurajuar.

2. Thënia: “…kthejani me një përshëndetje më të mirë…” nxit për të qenë i pari që përshëndet, sepse ky është tregues tjetër i “përshëndetjes më të mirë”, për të cilën na ka urdhëruar Sheriati. Megjithatë, nga fusha e këtij urdhri përjashtohen disa raste, siç është, për shembull, rasti i njeriut që është duke lexuar Kur’ân, apo duke dëgjuar hytben, duke falur namaz etj. Pra, në këto raste, nuk është detyrë kthimi i përshëndetjes apo selamit.

Gjithashtu, rast përjashtues është edhe me ata individë të cilët Sheriati urdhëron që të bojkotohen dhe të mos përshëndeten e as t’u kthehet përshëndetja, siç ndodh me gjynahqarët që i bëjnë haramet haptazi dhe nuk pendohen. Sidoqoftë, është kusht që mospërshëndetja e tyre të ketë efekt pozitiv dhe t’i bëjë ata të kthejnë rrugë, pasi nëse nuk ndodh kjo, atëherë me ta veprohet ndryshe.

Detyrimi i kthimit të përshëndetjes vlen edhe për ato përshëndetje që njerëzit i kanë zakon dhe që nuk bien ndesh me Sheriatin. Pra, muslimani është i urdhëruar që t’i kthejë me formë më të mirë ose të njëjtë edhe të tilla përshëndetje. Pastaj Allahu i Lartësuar na kujton se ai është Llogaritës i drejtë i të gjitha veprave tona të mira apo të këqija, dhe do të na shpërblejë me drejtësi për to:

– “Allahu është Llogaritës i drejtë për gjithçka.” – Çdo fjalë e vepër e njeriut, e mirë apo e keqe qoftë, e madhe apo e vogël, e dukshme apo e fshehur, është e regjistruar korrektësisht, dhe do të vijë dita që njeriu do të shpërblehet për to, me bujarinë, drejtësinë, urtësinë dhe gjykimin e drejtë të Allahut të Lartësuar.