Select Page

– “Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim …” – Në këto ajete shihet një qortim i hapur për të gjithë ata që bëjnë pyetje keqdashëse, pa patur qëllim mësimin e diturisë, por provokimin dhe vënien në pozitë të atij që pyesin. Të tillë njerëz, gjithashtu, nuk pyesin për ato gjëra që janë vërtet të rëndësishme.

Kështu, ata të pyesin rreth shpirtit, që është ndër çështjet e fshehta të Zotit. Jo çdokush mund të japë shpjegim të saktë për të. Ata bëjnë të tilla pyetje, ndërkohë që kanë shumë nevojë për atë diturinë e domosdoshme. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e urdhëroi e Profetin e Tij që kësaj pyetje të tyre t’i përgjigjet duke u thënë:

– “… dhe juve ju është dhënë shumë pak dituri.” – Shpirti është një ndër krijesat e Zotit, që Ai i urdhëroi të bëhen dhe ata u bënë. Në fakt, në pyetjet rreth shpirtit nuk ka ndonjë dobi të madhe për njeriun, sidomos kur ai nuk ka as njohuritë më të domosdoshme. Nga ky ajet mëson se, kur dikush pyetet për diçka, por sheh se në realitet pyetësi ka nevojë për diçka tjetër më të rëndësishme, atëherë është me e udhës që t’i shmanget asaj pyetjeje dhe t’i tregojë atij atë që ka më shumë nevojë për ta mësuar.