Select Page

– “Mos u mahnit nga pasuria dhe fëmijët e tyre!” – Mos u mashtro nga gjendja e atyre jobesimtarëve dhe munafikëve, që Allahu i Madhëruar u ka dhënë nga mirësitë e kësaj bote. Pasuritë dhe fëmijët e tyre nuk tregojnë aspak se Allahu i Lartësuar i ka privilegjuar ata. Madje, për ata të mjerë është krejtësisht e kundërta. I Lartësuari thotë:

– “Nëpërmjet tyre, Allahu dëshiron që t’i ndëshkojë ata në këtë botë dhe t’u dalë shpirti duke qenë mohues.” – Ata lodhen për t’i fituar dhe mbledhur, frikësohen se mos i humbasin dhe asnjëherë nuk i shijojnë ato. Më e keqja është se këto të mira i shpërqendrojnë ata nga qëllimi kryesor i jetës, pra, nga adhurimi i Zotit dhe përgatitja për jetën e pasosur. Kështu enden këta të mjerë në kotësitë e kësaj dynjaje të shkurtër, derisa të vijë momenti që t’u dalë shpirti me dhimbje e vuajtje. Dashuria për këtë dynja e ka pushtuar shpirtin e tyre, prandaj në momentin e vdekjes ata i djeg dëshpërimi për ndarjen prej saj.