Select Page

– “Asnjërit prej tyre mos ia fal namazin kur të vdesin e as mos u qëndro pranë varrit, …” – Kuptimi: Mos ua fal namazin e xhenazes munafikëve dhe as mos qëndro te varri për t’u lutur për ta. Namazi dhe lutja për ta është ndërmjetësim, dhe dihet mirë se ndëmjetësimi për ta është i pavlefshëm.

– “… sepse ata kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe kanë vdekur si mohues!” – Duhet kuptuar mirë se, çdokujt që vdes si mohues nuk i vlen asnjë lloj ndërmjetësimi. Në këto ajete ka mësime dhe qortim edhe për të tjerët. Ato janë kërcënim i hapur për të gjithë. Kështu veprohet me të gjithë ata që njihen me siguri si munafikë apo si mohues të Islamit. Atyre nuk u falet namazi i xhenazes.

Nga ana tjetër, ajeti është tregues për ligjshmërinë e faljes së namazit të xhenazes për besimtarët dhe të qëndrimit pranë varrit të tyre për të bërë lutje. Kështu vepronte edhe Profeti me besimtarët. Fakti që Allahu i Madhëruar na ndalon vetëm nga namazi dhe lutjet për munafikët dhe jobesimtarët, tregon se falja e namazit të xhenazes për besimtarët është vepër e padiskutueshme dhe e praktikueshme nga muslimanët.