Select Page

– “Kur u vjen ndonjë lajm qetësues ose shqetësues, ata e përhapin menjëherë atë.” – Kjo është një këshillë nga Allahu i Lartësuar, me të cilën Ai edukon adhuruesit e Tij që të largohen prej cilësive dhe sjelljeve jo të mira, që nuk iu shkojnë besimtarëve. Kështu, nëse ata dëgjojnë ndonjë lajm të rëndësishëm, që ka të bëjë me interesin e besimtarëve, sigurinë dhe ruajtjen e tyre, apo ndonjë lajm që ka të bëjë me ndonjë kërcënim kundër muslimanëve, fillimisht duhet ta verifikojnë dhe të mos nxitojnë në përhapjen e tij.

Ata duhet të njoftojnë Profetin (a.s.) (kur ishte gjallë) apo udhëheqësit dhe dijetarët e tyre. Ata duhet të njoftojnë njerëzit e mençur dhe specialistët, që i njohin mirë çështjet dhe dinë të japin gjykim të drejtë rreth anëve pozitive dhe negative, si dhe dinë të përcaktojnë drejt përparësitë. Nëse përhapja e tyre është e dobishme dhe sjell gëzim për besimtarët, apo i bën ata më të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm për t’iu ruajtur rreziqeve, ata e përhapin lajmin, e nëse jo, ata e fshehin dhe nuk e përhapin atë, siç thotë i Lartësuari:

– “Por, nëse këtë lajm do t’ia përcillnin Profetit ose parisë së tyre, hulumtuesit e vërtetë do të dinin të nxirrnin përfundime.” – Nëpërmjet logjikës së mprehtë dhe njohurive të mëdha, dijetarët do të japin një gjykim më të drejtë rreth atyre çështjeve. Ky është një rregull i rëndësishëm: nëse shtrohet nevoja për trajtimin e një çështjeje, ajo duhet t’u lihet atyre që janë specialistë të saj. Askush nuk duhet të flasë para tyre.

Kjo bën të mundur që t’i afrohesh më shumë të vërtetës dhe të jesh më pak i rrezikuar nga gabimi. Gjithashtu ky ajet na porosit që të mos jemi të nxituar dhe të papërmbajtur në reagimet ndaj lajmeve që na vijnë apo ndaj situatave të ndryshme me të cilat përballemi. Përkundrazi, ne duhet të mendohemi mirë dhe gjatë para se të veprojmë. Pastaj i Lartësuari thotë:

– “Sikur të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, atëherë ju, përveç një pakice, do të kishit ndjekur rrugën e Shejtanit.”  Mirësia e Allahut është suksesi i dhuruar prej Tij për të ndjekur udhën e drejtë, është feja që solli për ne, janë porositë e vyera për çdo fushë dhe çështje, është dija e vlefshme që Ai na dhuroi, dije që ne nuk e kishim.

Pra, nëse nuk do të ishin këto mirësi të dhuruara nga Zoti, ne do të mashtroheshim nga Shejtani i mallkuar, përveç një pakice të vogël. Arsyeja është se njeriu është i prirur drejt injorancës dhe padrejtësisë. Egoja e tij e urdhëron veçse për të këqija, por nëse ai i drejtohet me përgjërim dhe përunjësi Zotit të tij dhe kërkon strehim tek Ai, duke dhënë maksimumin e tij në këtë drejtim, Zoti i tij me siguri do ta ndihmojë për arritjen e çdo të mire dhe për të shpëtuar nga çdo e keqe; Ai do ta ruajë nga Shejtani i mallkuar dhe kurthet e tij.