– “Këto janë Shenjat Tona, të cilat ia dhamë Ibrahimit (si argument) kundër popullit të tij.“ – Me argumentet e padiskutueshme që i mundësuam Ibrahimit a.s, Ne e lartësuam dhe e bëmë atë triumfues mbi idhujtarët.
– Ne ngremë në gradë të lartë atë që duam. – Ashtu sikurse ngriti gradën e Ibrahimit në dynja dhe në ahiret, pa dyshim nëpërmjet diturisë, Allahu i Madhëruar i ngre disa njerëz mbi të tjerët, në grada të larta. Në mënyrë të veçantë ngrihen ata dijetarë që e jetësojnë diturinë e tyre dhe ua mësojnë atë të tjerëve. Në varësi të gjendjes dhe sinqeritetit të këtyre dijetarëve,
Allahu i bën ata udhëheqës të njerëzve, të cilët i ndjekin dhe i respektojnë veprat e tyre. Njerëzit ndriçohen me dritën e këtyre dijetarëve, përmes errësirës së rrugëtimit. I Madhëruari thotë: “Allahu i lartëson ata që besojnë, ndërsa të begatuarit me dituri i ngre në grada të larta. Allahu e di hollësisht çfarë veproni ju.” [Muxhadele 11].
– “Pa dyshim, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëditur.“ – Allahu ua jep diturinë dhe urtësinë atyre që e meritojnë. Ai e di shumë mirë se cilët janë ata që e meritojnë diturinë e urtësinë.