– “Ai (Jakubi) tha: “Jo, nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka mes jush. Durimi është gjëja më e mirë.” – Unë do t’i kthehem sërish durimit fisnik, të papërzier me zemërim dhe ankesa të panevojshme drejtuar krijesave. Më pas, kur e pa që po i shtohej brenga më tepër, Jakubi nisi të lutej dhe të shpresonte tek Allahu që t’ia largonte këtë sprovë:
– “Unë shpresoj që Allahu të m’i sjellë të gjithë;” – Shpresoj që Allahu i Lartësuar të m’i sjellë mua të gjithë këtu. Jakubi e kishte fjalën për Beniaminin dhe për vëllain e tij më të madh, i cili kishte qëndruar në Egjipt.
– “Ai është më i Dijturi, më i Urti!” – Allahu është El Alim – i Gjithëdituri, i Cili e di shumë mirë gjendjen dhe nevojën time për mëshirën, bamirësinë dhe bujarinë e Tij. Gjithashtu, Ai është El Hakim – i Urti, që ka vendosur për gjithçka afatin dhe masën e vet, në bazë të urtësisë së Tij madhështore.