Kur të vijë koha që Zoti e ka caktuar që të dalë kjo shenjë për njerëzit, do të dalë një kafshë prej tokës, pra, jo nga qielli. Kjo kafshë do t’u flasë njerëzve haptazi, sepse atyre do t’u jetë dobësuar dituria e siguria për shenjat e Zotit. Allahu ua nxjerr njerëzve këtë kafshë si një nga shenjat e Tij të çuditshme, që t’u tregojë atyre atë që e vinin në dyshim. Kjo është Kafsha e Madhe, që pritet të dalë në fundin e kohës dhe do të jetë nga shenjat e Kijametit, siç është shpjeguar hollësisht në hadithet e Profetit (a.s).
Por nuk ka ardhur asnjë tekst që të tregojë për llojin e asaj kafshe dhe se si do t’u shfaqet njerëzve. Ajeti thjesht na tregon se Allahu i Lartësuar do ta nxjerrë atë, që njerëzit ta shohin dhe e folura e saj është diçka e jashtëzakonshme dhe e panjohur ndër njerëz. Ajo do të shërbejë si argument për saktësinë dhe vërtetësinë e asaj që ka lajmëruar Zoti në Librin e Tij. Allahu është më i ditur për gjithçka.