Select Page

– “A nuk meditojnë ata rreth Kur’ânit?” – Allahu i Lartësuar na urdhëron që të meditojmë thellë rreth Librit të Tij, që të kuptojmë qartë ajetet e Tij, mesazhin e tyre nga fillimi në mbarim dhe detyrat që dalin. Studimi i Librit të Allahut të Lartësuar është çelësi i shumë njohurive. Prej tij nxirret çdo e mirë dhe përftohet çdo lloj njohurie. Nëpërmjet Kur’ânit shtohet besimi dhe rrënjët e tij ngulen në zemër. Nëpërmjet Kur’ânit njihet Zoti i Lartësuar, i vetmi i Adhuruar me meritë, njihen emrat dhe cilësitë e pranueshme për Të dhe ato nga të cilat Ai është i pastër.

Në Kur’ân është treguar qartë rruga që të çon te Zoti dhe cilësitë e atyre që ndjekin këtë rrugë. Aty  është treguar shpërblimi që i pret besimtarët kur të mbërrijnë te Zoti i tyre. Në Kur’ân zbulohet se cili është armiku yt i vërtetë, me të gjitha intrigat dhe kurthet që ai përgatit kundra teje. Në Kur’ân tregohen rrugët që të çojnë drejt ndëshkimit dhe mënyra si të mbrohesh prej tyre dhe të shpëtosh. Ai përshkruan cilësitë e atyre që ndjekin rrugën drejt ndëshkimit dhe vuajtjes. Kur’âni tregon se çfarë i pret ata të cilët kryejnë gjynahe dhe çdo gjë që të shpie drejt ndëshkimit.

Sa më shumë të studiohet Kur’âni, aq më shumë shtohet dija e dobishme, qartësia në besim dhe veprat e mira që sjellin lumturinë në të dyja jetët. Kjo është arsyeja që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për këtë gjë. Madje, Ai na ka njoftuar se Kur’âni është zbritur veçse që të meditojmë rreth tij, siç thotë në ajetet: “Libër i begatshëm, të cilin Ne ta shpallëm që t’ia studiojnë ajetet dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend”. [Sad 29].

“A nuk meditojnë ata për Kur’anin, apo i kanë zemrat të kyçura?” [Muhamed 24]. Ndër dobitë më të rëndësishme të meditimit rreth Kur’ânit është se, nëpërmjet tij, njeriu arrin siguri të plotë se ky libër është vërtet shpallje e Zotit të Lartësuar. Pra, Kur’âni vërteton dhe verifikon vetveten. Në të përmenden dhe përsëriten histori të shumta, por ato janë plotësisht në përputhje dhe harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Mes tyre nuk ka asnjë kundërthënie. Nga kjo kuptohet se Kur’âni është fjala e vërtetë e Zotit, i Cili është Gjithëpërfshirës dhe Absolut në dijen e Tij:

– “Sikur të ishte prej dikujt tjetër, e jo prej Allahut, do të kishin gjetur në të shumë kundërthënie.” – Pra, duke qenë se Kur’âni është prej Allahut të Lartësuar, në të nuk mund të gjesh kurrë kundërthënie.