– “Ata thonë: “Të jemi bindur”, por kur largohen prej teje, një grup prej tyre shtjellojnë diçka tjetër nga ajo që u thua ti.” – Kur veçohen, ata veprojnë të kundërtën. Ata vendosin të sigurt për të mos iu bindur Zotit dhe Profetit. Këtë kuptim ka fjala ‘bejjete’ në ajet: “planifikon dhe vendos me bindje për diçka”. Domethënë, ata vendosën me bindje për të mos zbatuar porositë e Allahut dhe të Profetit (a.s.), por Allahu i Lartësuar i kërcënon për këtë dhe thotë:
– “Por Allahu e shënon atë që ata planifikojnë.” – Ai do t’ua shkruajë veprat e tyre dhe do t’u japë shpërblimin e duhur. Ky, sigurisht, është një kërcënim për ta. Pastaj i Lartësuari e urdhëron Profetin e Tij që t’u kthejë shpinën dhe të distancohet prej tyre. Kështu, Profeti këshillohet që të mos zemërohet, sepse ata nuk mund ta dëmtojnë nëse ai i mbështetet Allahut dhe kërkon ndihmën e Tij:
– “Prandaj largohu prej atyre e mbështetju Allahut! Allahu të mjafton si Mbrojtës.”