Select Page

Allahu i Lavdëruar u kujton krijesave mirësitë e Tij dhe kërkon prej tyre që të shprehin mirënjohjen dhe ta lavdërojnë Atë për to. Ai thotë:

– “Allahu i bëri shtëpitë tuaja vendbanim të qetë …” – Ju banoni dhe gjeni prehje në shtëpitë tuaja, që ju mbrojnë ju, fëmijët dhe pasuritë tuaja nga i nxehti e i ftohti. Ju bëni dhoma e kthina, për shërbime dhe qëllime të ndryshme. Në to ju ruani pasurinë e nderin tuaj dhe keni lehtësira të dëshirueshme.

– “… dhe nga lëkurët e kafshëve ju mundësoi të keni tenda që lehtësisht i bartni me vete gjatë udhëtimeve dhe (kur qëndroni) në vendin tuaj.” – Prej lëkurës ose gëzofit të kafshëve, ju bëni çadra kampingu, të cilat mund t’i merrni me vete kudo që shkoni dhe ku qëndroni përkohësisht. Në to, ju ruheni nga i ftohti, nga i nxehti dhe nga reshjet. Aty ruani mallin e pasurinë tuaj, gjithashtu.

– “Ndërsa nga leshi dhe gëzofi i tyre, ju bëni veshje …” – Nga këto produkte të përfituara nga bagëtitë, ju prodhoni calikë, mjete pune, shtroje, rroba, stoli e shumë gjëra të tjera.

– “që t’i shfrytëzoni për një kohë të caktuar.” – Zoti jua dha që të kënaqeni e të përfitoni prej tyre deri në një afat të caktuar në këtë jetë. Kështu u ka lehtësuar Zoti robërve  të Tij të prodhojnë e përfitojnë prej këtyre mirësive.