– “Vallë, ky është ai që u zgjodh nga mesi ynë, për t’iu dërguar Mesazhi?“ – Çfarë ka ai më shumë se ne, që Allahu ta dallojë mbi ne dhe t’i sjellë Shpallje, siç pretendon? Edhe ky ishte një argument i pasaktë. Ai nuk përmban asnjë arsye të logjikshme që mund të hedhë poshtë ftesën e Profetit (a.s.) për njësimin e Allahut. Të gjithë profetët kanë qenë njerëz, si gjithë njerëzit e tjerë, domethënë që kjo cilësi nuk ishte vetëm e Muhamedit (a.s.).
Është Allahu Ai që e dallon kë të dëshirojë duke e bërë profet e duke i shpallur libër të ndritur, që ai të ftojë njerëzit në monoteizëm. Duke qenë se të gjitha arsyet që ata sollën për të refuzuar të vërtetën nuk mund të shërbejnë kurrsesi si argument ku mund të mbështetesh, Allahu i Madhëruar na tregon se ku e kanë burimin ato. Ai thotë:
– “Ata janë në dyshim për Mesazhin Tim.“ – Ata nuk kanë asnjë dituri dhe argument të qartë ku të mbështeten. Ata kanë vetëm dyshime dhe kënaqen me këtë gjendje. Kur u erdhi e vërteta e qartë, ata ishin të vendosur që nuk do ta pranonin, për të qëndruar në atë gjendje dyshimi. Për këtë arsye, ata bëjnë arsyetime boshe e kontradiktore, pa patur asnjë argument.
Dhe dihet mirë për të tillë njerëz, që flasin të shtyrë nga inati, pasiguria dhe dyshimet e pabaza, se atyre nuk u pranohet fjala, madje fjalët e tyre nuk ndikojnë aspak në të vërtetën. Ata thjesht ngarkojnë veten e tyre me gjynahe dhe e bëjnë të meritueshëm dënimin e Zotit. Për këtë arsye, i Madhëruari i kërcënon ata, duke thënë:
– “Nuk e kanë shijuar ende dënimin Tim.“ – Ata i thonë ato fjalë dhe marrin guximin të trillojnë kundër të vërtetës, sepse ende janë në dynja dhe akoma nuk i ka kapur dënimi i Zotit. Po nëse do të shihnin këtë ndëshkim, nuk do të merrnin guximin për të tilla shpifje e trillime: