– ”Për t’i marrë në pyetje (dhe shpërblyer) të sinqertët për sinqeritetin e tyre. Dhe për jobesimtarët Ai ka përgatitur një Ndëshkim të dhembshëm.” – Kështu, Allahu i Madhëruar ka për t’i pyetur dhe marrë në përgjegjësi si profetët që dërgoi, ashtu edhe popujt në të cilët i dërgoi këta profetë. Ai do t’i marrë në pyetje rreth asaj bese të fortë: A e çuan në vend dhe a e përmbushën ashtu siç duhej?
A u treguan të sinqertë në adhurimin e Zotit dhe jetën sipas Shpalljes së Tij? Nëse po, atëherë ka për t’i shpërblyer me kopshtet e mirësive. Nëse jo dhe e kanë mohuar, atëherë do t’i ndëshkojë me dënimin e dhembshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Prej besimtarëve pati burra të tillë që e mbajtën besën e dhënë Allahut. Disa prej tyre e përmbushën premtimin duke dhënë jetën dhe ka të tjerë që janë duke pritur (për ta përmbushur) dhe ata kurrë nuk sprapsen aspak (nga rruga e Allahut).” [Ahzab 23].