Select Page

– “O ju që keni besuar!” – Allahu i Madhëruar u drejtohet me këto fjalë atyre që kanë besuar. Por çfarë besojnë dhe si besojnë? Ata besojnë atë që Zoti i ka urdhëruar të besojnë, me mënyrën që Ai e ka caktuar. Ky është besimi i saktë dhe i pranueshëm. Ky besim kërkon që të zbatosh gjithçka që të dikton ai. Ndër veprat e diktuara nga imani është edhe dëshmia e drejtë për hir të Zotit:

  – “Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën” – Kuptimi: Të gjitha forcat tuaja të brendshme dhe të jashtme të jenë të përkushtuara për çdo vepër që dikton imani i drejtë dhe i urdhëruar nga Zoti. Dëshmoni me drejtësi dhe çdo punë që kryeni le të jetë për hir të Allahut të Lartësuar dhe vetëm për hir të Tij, jo për hir të ndonjë interesi të kësaj dynjaje. Synimi juaj le të jetë vendosja dhe arritja e drejtësisë. Mos i kaloni kufijtë duke e tepruar apo duke shpërfillur të drejtat e të tjerëve. Mbani drejtësinë dhe jini me të drejtën në çdo rast, me të afërmit e me të largëtit, me miqtë e me armiqtë.

– “dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni drejtësisë!” – Urrejtja ndaj dikujt nuk duhet të bëhet shtysë për t’ju larguar drejtësisë, sikurse veprojnë ata që nuk pyesin për drejtësi. Ashtu sikurse dëshmoni në favor të miqve tuaj, ashtu dëshmoni edhe kundër tyre, nëse këtë e kërkon drejtësia. Ashtu sikurse dëshmoni kundër armiqve tuaj për të vendosur drejtësinë, ashtu dëshmoni edhe në favor të tyre, nëse kështu është drejtësia, edhe nëse janë jobesimtarë apo bidatçinj.

Është detyrë, gjithashtu, që të pranosh çdo fjalë dhe dëshmi të drejtë të sjellë prej tyre. E vërteta dhe e drejta pranohen sepse janë të tilla, e jo sepse thuhen nga ky apo ai. E drejta nuk refuzohet sepse e ka thënë një i padrejtë, pasi kjo do të ishte padrejtësi ndaj të vërtetës. Përfundimisht, shmangia nga drejtësia është gjithmonë e palejueshme.

– “Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë” – Kuptimi: Sa më shumë të përkujdeseni për drejtësinë, aq më tepër do të forcohet devotshmëria në zemrat tuaja. Nëse plotësohet drejtësia, është plotësuar devotshmëria.

– “dhe kijeni frikë Allahun! Pa dyshim, Allahu e di me hollësi gjithçka që bëni ju.” – Ky është përsëri një urdhër për të plotësuar devotshmërinë, duke kryer urdhëresat dhe duke ruajtur kufijtë e vendosur nga Allahu i Madhëruar. Të përpiqemi të plotësojmë devotshmërinë duke kujtuar një fakt të rëndësishëm: “Allahu di me hollësi se çfarë veproni.” Allahu ka për të shpërblyer çdonjë për veprat e tij, të mira apo të këqija, të vogla a të mëdha qofshin. Shpërblimi dhe shpagimi i tij do të realizohet në këtë jetë dhe në jetën e pafundme të ahiretit.