– “Nëse u thua ‘Me siguri që do të ringjalleni pas vdekjes.’, mohuesit me këmbëngulje thonë: “Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një magji e qartë.”. – Kur u flet për ringjalljen dhe llogarinë para Zotit, ata nuk të besojnë, madje të kundërshtojnë me këmbëngulje. Ata shpifin dhe e konsiderojnë Shpalljen që t’u dha prej Zotit si një trillim e mashtrim, duke thënë: “Kjo është një magji e qartë”. Por le ta dinë dhe të binden se kjo Shpallje është e vërteta e qartë dhe e pakundërshtueshme.
– “Nëse Ne ua vonojmë ndëshkimin për njëfarë kohe, ata thonë: “Pse nuk po ndodh?!”” – Kur Allahu i Madhëruar i afatizon dhe ua vonon ndëshkimin, ata, nga injoranca e thellë dhe padrejtësia e madhe, thonë: “Pse nuk po ndodh?!”, çfarë e pengon këtë ndëshkim?! Nga kjo nënkuptohet se ata e mohojnë faktin e llogaridhënies dhe të ndëshkimit të mosbesimtarëve. Për të argumentuar mosbesimin e tyre ndaj Profetit, ata arsyetohen me faktin që ndëshkimi me të cilin ai i kërcënonte nuk po u vinte. Subĥânallah! Çfarë arsyetimi i shtrembër dhe i padrejtë!
– “Por le ta dinë se, kur t’u vijë dita, asgjë nuk ka për t’ua larguar më (ndëshkimin) dhe mbi ta do të bëhet realitet ai (kërcënim) me të cilin talleshin.”” – Le ta dinë se ditën kur të zbresë dënimi i Zotit, që ata nuk duan ta besojnë, ai nuk ka për t’u ndalur më dhe ata nuk kanë për të shpëtuar prej tij. Madje, atyre nuk ka për t’iu dhënë as mundësia për të reflektuar mbi veprimet e tyre. Dijeni, o të mjerë, se ajo është dita kur do të bëhet realitet ndëshkimi, me të cilin ju talleshit, sepse ishit të bindur që nuk do të ndodhte! Atë ditë do të vërtetohet edhe besnikëria e atij profeti, që ju e mohonit me aq kokëfortësi, dhe nuk do të keni më asnjë shans për të kthyer rrugë.