– ”Atëherë a është i njëjtë ai të cilin e joshin veprat e keqia dhe i sheh ato si të mira me atë, që e sheh qartë të vërtetën?” – A mund të jetë njëlloj me besimtarin e mirë dhe të udhëzuar drejt dikush të cilit i duket e mirë puna e keqe? Atij i është vënë pas shejtani i mallkuar, që ia zbukuron veprat e këqija dhe të poshtra. Ndërsa besimtarin e sinqertë e ka udhëzuar Allahu i Madhëruar në rrugën e drejtë dhe në fenë e Tij të pastër.
A mund të jenë njëlloj këta dy lloj njerëzish? I pari bën vepra të këqija dhe i sheh si të mira, e sheh të vërtetën si kotësi dhe kotësinë e sheh si të vërtetë. I dyti punon bën vepra të mira dhe e sheh të vërtetën të qartë dhe të pastër ashtu siç është. Mësojeni se këta nuk janë kurrsesi njëlloj dhe dijeni se udhëzimi dhe humbja janë në dorën e Allahut të Lartësuar:
– ”Allahu e lë në humbje atë që dëshiron dhe e udhëzon atë që dëshiron. Prandaj ti mos u dëshpëro për ta!” – Për këtë arsye, mos u shqetëso e dëshpëro për ata të humbur nga rruga e drejtë, të cilëve shejtani i mallkuar ua zbukuroi ligësitë dhe i largoi nga e mira. Dije se në dorën tënde është thjesht kumtimi i qartë i Shpalljes. Ti nuk mund t’i bësh zemrat që të pranojnë të vërtetën dhe as mund të krijosh iman në zemrat e tyre. Allahu është Ai që e bën këtë dhe që do t’i shpërblejë secilin për veprat e bëra.
– ”Allahu e di mirë atë që bëjnë ata.” – Për këtë arsye, Ai udhëzon në rrugën e drejtë atë që Ai dëshiron dhe gjykon me urtësinë e Tij.